Me interpretimin e suksesshëm të baletit të legjendave të njohura ulqinake, “Kroi i zanave” dhe “Legjenda e sirenës”, në gjirin përrallor të Valdanosit, të dielën në mbrëmje përfundoi manifestimi “Marubi End Season Fest”.
Në kuadër të këtij manifestimi treditorë, i cili është financuar me mjete të BE si projekt i bashkëpunimit ndërkufitar në lëmin e turizmit në mes të Ulqinit dhe Shkodrës, janë mbajtur Ditët e traditës, Panairi i ushqimit tradicional dhe të suvenirëve në Kala, performanca në Plazhin “Dulcinium”, si dhe ekspozita e fotografive në Ranë.
“Ishte ky një kombinim i traditës, legjendës dhe modernes”, thanë organizatorët e këtij manifestimi.