Vajuku, varieteti ynë autokton i ullinit, prodhon fruta të shkëlqyera dhe vaj me cilësi të lartë. Rajoni ynë i Bregdetit njihet për këtë varietet autokton, megjithëse ende nuk është i regjistruar zyrtarisht në bazën e të dhënave botërore të varieteteve të ullinit. Ekspertët pohojnë se ky është një hendikap i madh, i cili detyron të veprojnë të gjithë zyrtarët, institucionet shkencore dhe ata që e duan ullishtarinë.
Hulumtimet tregojnë se vaji i ullirit ekstra i virgjër kërkon që pema e ullinit të jetë disa shekullore.
Ne nuk mund të konkurrojmë me vendet e Mesdheut për nga sasia e vojit të prodhuar, por mundemi për nga cilësia e tij. Aq më tepër që në Ullishtën tonë kemi plantacione ku mosha mesatare e pemëve është rreth 800 vjet. Vaji i përfituar nga ullinj të tillë vlerësohet veçanërisht në botë.

Varieteti ynë tradicional i ullinit ka një cikël karakteristik pesëvjeçar: një vit është jashtëzakonisht i frytshëm, dy janë mesatarë dhe dy janë krejtësisht të pasuksesshëm.
Por, kjo nuk ndodh me varietetet e importuara, të cilat përgjithësisht prodhojnë mirë çdo vit, dhe njëkohësisht prodhojnë shumë vaj.
Prandaj shumë ulqinakë mbjellin sasi të mëdha të varieteteve jovendase, kryesisht italiane – lechino, koratina, ascolan tenera, carolea, apo arbequina spanjolle… Në zonën e Ulqinit është i njohur edhe varieteti italian i dolce mele, i cili u kultivua me dekada në Fushën e Ulqinit, derisa nuk u shndërrua në parcelë ndërtimi.
Kultivuesit e suksesshëm të ullirit rekomandojnë mbjelljen e fidanëve të certifikuar që janë rreth 18 muajsh, të cilët zhvillohen më së miri për rritjen dhe frytëzimin e mëtejshëm. Në të njëjtën kohë, ata paralajmërojnë faktin se varietetet autoktone prodhojnë më vonë.
Për shembull, vajuku zakonisht jep fryt pas gjashtë vjetësh, ndërsa varietetet e futura japin fryte pas pesë vjetësh. Edhe pse, kur vajuku jep fryte, rendimenti dhe cilësia e vajit janë të pakrahasueshme.
Mirëmbajtja e duhur e pemëve të ullirit dhe përshtatja me kushtet atmosferike janë parakushte për rezultate më të mira në të ardhmen.
Sido që të jetë Ulqini dhe Mali i Zi janë prodhues shumë të vegjël të vajit të ullinit në hartën evropiane dhe botërore, por vaji i ullinit është i cilësisë më të lartë dhe është produkt ushqimor vendor autokton.
Ky tekst është krijuar si pjesë e projektit Turizmi i Ullirit – një vend i ri në ofertën turistike, promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ulqinit, financuar nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitja e Pluralizmit dhe Diversitetit Mediatik. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ-së “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë.