Në mbledhjen e parë të sivjetme, e cila fillon të hënën më 15 qershor, këshilltarët do të shqyrtojnë 24 pika të rendit të ditës.
Përveç të tjerash, do të diskutohet për emrat e rrugëve, do të miratohen një sërë vendimesh me rëndësi për vetëqeverisjen lokale, si dhe gjashtë vendime për kompletimin e parcelave urbanistike. Pritet edhe miratimi i planit të aksionit për të rinj, për luftë kundër korrupsionit dhe për arritjen e barazisë gjinore në Komunë të Ulqinit.
Meqë akoma nuk është gati raporti i revizorit, në rend të ditës nuk është vendosur pika për Llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitin 2014.









