Edhe pse koalicioni qeverisës në komunë të Ulqinit ka më shumë se tre të katërtën e këshilltarëve, gjatë punës së sotme më së shumti vështirësi u shfaqen për shkak të kuorumit.
Kështu për dhënien e pëlqimit për zgjedhjen e drejtorit të NP “Veprimtari komunale” votoi këshilltari i PSD-së Skender Elezagiq, përndryshe, ky vendim do të shtyhej.
Për këtë arsye kryetari i Kuvendit komunal Loro Nrekiq kritikoi këshilltarët nga koalicioni qeverisës për qasje joserioze ndaj punës.
Sot u miratua vetëm edhe Vendimi për emërtimet e vendbanimeve në territorin e komunës së Ulqinit.
Me kërkesë të kryetarit të Komunës Nazif Cungut u hoqën nga rendi i ditës propozim vendimet për ndryshimet dhe plotësimet për përcaktimin e parcelave urbanistike dhe kadastrale të Planit detaj urbanistik për lokacionet “Rana” dhe “Meterizi 1”.
Pritet që kjo mbledhje me edhe tetë pika të rendit të ditës të vazhdohet të hënën.