Ulqini në këtë sezon nuk do të ketë problem me furnizim me ujë. Ky është përfundimi i marrëveshjes të cilën e arritën drejtori i Ujësjellësit regjional dhe i NP “Ujësjellësi dhe kanalizime” Goran Jevriq dhe Fehim Avdiu. Ato, siç shkruan “Vijesti”, janë dakorduar që në 11 muajt e ardhshëm të shlyhet borxhi që ndërmarrja nga Ulqini ka ndaj Ujësjellësit regjional, e që është mbi 100 mijë euro.
Që situata me mungesën e ujit ishte me të vërtet alarmante tregon fakti që në zgjidhjen e këtij problemi u kyç dhe ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Branimir Gvozdenoviq.
Sipas fjalëve të kryetarit të komunës së Ulqinit Nazif Cungu, kjo komunë nga Ujësjellësi regjional në të ardhmen do të marr 50 litra ujë në sekondë. “Kjo është për fillim, e nëse nevojitet, do të marrim dhe sasi shtesë”, tha ai.