Mjedisi mediatik dhe digjital në Mal të Zi, por edhe në trevat ku jetojnë shqiptarët në këtë shtet, vazhdimisht po zhvillohet dhe zgjerohet. Ai mbulon një shumëllojshmëri të gjerë të përmbajtjeve dhe të teknologjive – mediat tradicionale siç janë shtypi, televizioni, radio, mediat online dhe aplikacionet, rrjetet digjitale, realiteti virtual, inteligjenca artificíale, algoritmet, etj. Mjedisi digjital po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në jetën e fëmijëve në aspekte të ndryshme të jetës së tyre dhe çdo fëmijë ka të drejtën e qasjes në boten digjitale, gjë që njihet dhe përfshihet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, që në këtë kontekst edhe është e plotësuar dhe e përditësuar në vitin 2021. Komenti nr. 25 i Konventës në detaje i udhëzon shtetet se si t’i mbrojnë të drejtat e fëmijës në kontekstin e një mjedisi digjital tejet dinamik.
Edhe Strategjia e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Fëmijës pranon gjithashtu se fëmijët qasen në internet nëpërmjet kompjuterave, konsolave për lojëra, tabletave, telefonave të mençur, ashtu që alfabetizmi digjital shihet gjithnjë e me shumë si një pjese integrale e të drejtave të fëmijës për lirinë e shprehjes dhe të edukimit.
Një nga sfidat kryesore është mungesa e njohurive dhe mbështetjes për prindërit dhe mësuesit për t’u përgjigjur detyrës se tyre ne rritjen e fëmijëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre për shkak të shfaqjes së teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit, gjë që e thellon edhe më shumë hendekun midis gjeneratave.
Në këtë kontekst, nuk mjafton të mendojmë për komunikimin thjesht si për një transferim informacioni nga një person tek tjetri – duhet ta pranojmë se komunikimi luan një rol themelor, kyç në përfaqësimin e bindjeve të përbashkëta. Roli ynë në mjedisin mediatik ka ndryshuar: nuk jemi më pranuesit pasivë të përmbajtjeve mediatike, por ne i ndajmë ato më tej dhe në atë mënyrë ne krijojmë përmbajtjet e reja.
Alfabetizmi mediatik është aftësia për t’u qasur, për t’i analizuar, vlerësuar dhe komunikuar informacionet në të gjitha format e saj. Alfabetizmi mediatik është, pra, një sistem aftësish, njohurish dhe kuptimesh që i mundëson përdoruesit t’i përdorin mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt.
Qytetarët me shkathtësi mediatike janë në gjendje të marrin vendime në bazë të informatave, ta kuptojnë natyrën dhe përmbajtjen e informacionit, dhe në të njëjtën kohë ta përdorin diapazonin e plotë të mundësive që i ofrojnë teknologjitë e reja të komunikimit. Këta qytetarë janë në gjendje ta mbrojnë veten dhe familjet e tyre nga përmbajtja e dëmshme dhe ofenduese. Për këto arsye, zhvillimi i alfabetizmit mediatik në të gjitha segmentet e shoqërisë duhet të promovohet në mënyrë aktive.
Alfabetizmi mediatik është një koncept që po krijohet dhe është në zhvillim – një fushë dinamike që përshkon shumë disiplina, duke përfshirë edukimin mediatik, shkencat informatike, shkencat sociale, ekonominë dhe fusha të tjera, dhe mbulon një gamë të gjerë të llojeve të mediave: mediat digjitale, filmin, librat, muzikën, lojërat online etj. Nuk ka një përkufizim të vetëm të harmonizuar të alfabetizmit mediatik, por të gjitha përshkrimet kanë një element kryesor të përbashkët: zhvillimin e të menduarit kritik.
Alfabetizmi mediatik na aftëson që te kuptojmë, analizojmë dhe të mendojmë në mënyrë kritike për median dhe përmbajtjet e medias që vijnë deri te ne, dhe në fund na ofron njohuri se si ne mund të krijojmë përmbajtjet mediatike.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit “Lexo saktë” i cili realizohet nga OJQ “UL Info”, në partneritet me OJQ “Instituti Punta”, në kuadër të projektit rajonal “Media jonë – Iniciativa për përmirësimin e shkrim-leximit mediatik , dialogu dhe aktivizmi”, të cilin e realizon Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Mediave, me mbështetjen e BE-së dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e UL Info dhe nuk pasqyron domosdo pikëpamjet e Bashkimit Evropian.