Kalendari shpirtëror islam nënkupton kronologjinë e ngjarjeve historike me rendësi i cili shtrihet përgjatë historisë që nga fillimi i vargut të profetëve/pejgamberëve e deri në ditët tona. Këto ngjarje dhe ndodhi historike me peshë të veçantë përbëjnë kalendarin shpirtëror i cili në mënyr direkte ndihmon në formimin e identitetit shpirtëror të njeriut, në rastin tonë të besimtarit të fesë islame.
Është i një rëndësie të veçantë formimi dhe forcimi i identitetit shpirtëror/fetar ngase kjo nënkupton besimtarin e formuar i cili njeh rrënjët e veta.
Sa më të thella që janë këto rrënje në histori, aq më i fortë dhe më i qëndrueshëm është identiteti i tij përballë sfidave dhe trendeve bashkëkohore. Edhe vet tradita nënkupton një sistem bindjesh, vlerash dhe praktikash të cilat kanë rrënje në histori dhe respektohen e praktikohen vazhdimisht.
Islami dhe tradita bashkëveprojnë në mënyrë aktive edh epse islami ka edhe raport kritik ndaj traditës. Në njërën anë profeti Muhanmed a.s. nxit krijimin e traditave të mira duke thënë: “Kush fut në traditë të mirë, ka shpërblim për te dhe shpërblimin e ndjekësve të asaj tradite, duke mos i’u munguar shpërblimi atyre asgjë”. Nga ana tjetër, Kur’ani nxit në mendim kritik duke përshkruar ata që thanë: “A të lëmë besimin në të cilin i kemi gjetur të parët tanë!?”
Shënimet e datave historike janë traditë e profetit Muhammed. Ai agjëronte ditëve të hëna si shenjë falënderimi ndaj Zotit sepse ajo ishte dita e lindjes së tij.
Kur arriti në Medine dhe pa se hebrenjtë e Medinës agjëronin ditën e Ashurës, pyeti për këtë dhe i’u tha se ata agjërojnë ditën kur Zoti shpëtoi Musaun a.s. Atëherë Muhammedi a.s. tha se edhe ne do të agjërojmë por do e shtojmë edhe një ditë për tu dalluar prej tyre. Kjo tregon mjaftueshëm se ekziston një bazë e lejimit të shënimit të datave të rëndësishme islame.
Festimi nënkupton festë dhe në këtë kuptim nuk mund t’i përshkruajmë festime Muhammedit a.s. porse nga ana tjetër duhet të jemi të vetëdijshëm se shënimi i ngjarjeve të ndryshme me agjërim dhe me forma tjera adhurimi është i pëlqyeshëm.
Të gjitha këto ngjarje që shënohen me respekt e dashuri të thellë me mënyra të ndryshme adhurimi, ngulisin në mendjen e njeriut e sidomos tek fëmijët ndjenjën e përkatësisë dhe se ajo ndjenjë rritët në identitetin e tij shpirtëror/fetar gjatë periudhës së vetëdijesimit të individit.
Andaj është për tu çuditur fakti se si disa lëvizje bashkëkohore islame kanë sulmuar traditën në çdo aspekt pa të drejtë duke këputur rrënjët e trungut të identitetit dhe duke e bërë atë të luhatshëm dhe të dobët përballë stuhive bashkëkohore.