Gjon Buzuku dhe Ali Riza Ulqinaku, dy figura të rendësishme historike shqiptare jane berë temë e ditës dhe konsumit në Ulqin e më gjërë pas iniciativës së kuvendit komunal që të vendosen emrat e tyre Bibliotekës së qytetit dhe Shtëpisë së kulturës.
Emërtimi i Bibliotekës së qytetit dhe Qendrës për kulturë me emrin e Gjon Buzukut dhe Ali Riza Ulqinakut përfaqëson dinjitetshëm brendin e kulturës shqiptare që nënkupton harmoninë, respektin e ndjersjelltë në mes komunitetëve të ndryshme fetare. Sikur të ishin gjallë, Gjoni dhe Aliu ashtu siç janë dhe fjalet e tyre, janë dhe do te ishin edhe sot shembull dhe edukator per perspektiven dhe dinjitetin e kultures sonë.
Nese marrim rrjetet sociale në vend të anketave për të hulumtuar opinionin shoqëror, rezultatet shpesh herë jane shqetsuese. Në rrjetët sociale vërejmë shpesh tensione e fërkime ndërfetare, gjë e cila kërkon trajtim të veçantë.
Henri Tajfel, pionir i teorisë së identitetit social, pohon se identiteti është shumështresor dhe se njeriu në vete bart identitete të ndryshme që përbejnë identitetin e përgjithshëm të individit i cili përbëhet nga të gjitha këto identitete. Për Tajfel, vetëm identitetet e të njejtës kategori përjashtohen në mes vete ndërsa ata të kategorive të ndryshme bashkëjetojnë të i njëjti individ si psh. identiteti kombëtar, racor, fetar e deri tek llojet moderne të identitetit.
Për shembull: një njeri nuk mund të jetë njëkohësisht i bardhë dhe i zi, musliman dhe i krishterë, fashist dhe antifashist, i majtë dhe i djathtë, sepse janë identitete të të njejtës kategori dhe përjashtohen në mes vete. Nga ana tjetër, kategoritë apo llojet e ndryshme të identitetit bashkëjetojnë tek individi si psh. njëkohësisht një italian mund të jetë fasisht apo antifashist, i krishterë apo budist, verior apo jugor, europian etj.
Kështu është për mendimin tim normale që te një individ të bashkohen identitete të ndryshme që nuk përjashtohen nga njëri tjetri dhe së të gjitha këto identitete mund të takohen tek një pikë e përbashkët.
Në rastin tonë, Gjon Buzuku dhe Ali Ulqinaku, edhe pse i përkasin periudhave të ndryshme historike, religjionëve të ndryshme, ata sërish bashkohen tek identiteti kombëtar e kontributi për popullin e tyre, kontribut ky me rëndesi ndër/kombetare.
Minimumi që duhet të bëjmë si njerëz është t’i japim të tjerëve të drejtën e lirisë së besimit ndërsa Gjon Buzuku dhe Ali Ulqinaku – përkrah njëri tjetrit – mund dhe duhet të shërbejnë si një paradigmë e nevojshme e harmonisë dhe vëllazërisë shqiptare.