“Unioni demokratik i Shqiptarëve me anë të kësaj deklarate dëshiron të shpreh indinjatën e vet të thellë kundër secilit individ apo grup i cili me fjalë të pahijshme dhe sidomos fyese i drejtohet opinionit publik të qytetit tonë. Reagimi jonë bëhet me rastin e fundit ku me fjalë fyese ofendohet gazetari Mustafa Canka”, thuhet në deklaratë të UDSH.
Kryetari i kësaj partie Mehmed Zenka tha se “nuk është hera e parë që personi apo grupi i cili fshihet pas pseudonimit fyen qytetarët dhe rininë e Ulqinit, në rastin konkret rinin e UDSH-së, duke iu drejtuar me fjalë tejet poshtëruese të cilat edhe kur citohen të bien rënd”.
“Shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë krijuesit e skenës politike në Ulqin që secili ti ndalojë militantët nga radhët e veta, në mënyrë që të mundësojmë një fushatë parazgjedhore dinjitoze”, shtoi Zenka dhe përfundoi: “Të gjithë ne jemi bijtë dhe qytetarë të Ulqinit, siç është dhe Mustafa Canka, dhe të gjithë e duam qytetin dhe popullin tonë. Le të jetë pra kjo arsyeja kryesore pse duhet ta ruajmë njëri tjetrin”.