Mehmet Bardhi: FJALA LAMTUMIRËSE ME RASTIN E VARRIMIT TË NAZIRE NELIT CURAJ – ZOGAJ

nazire-curaj-zogajTë nderuar familjare e familjarë dhe farefis i të ndjerës Nazire,
Të nderuar miq, që sot kemi ardhë me i dhënë lamtumirën e fundit bijës sonë të Krajës, profesoreshës, edukatores dhe atdhetares, koleges sonë të gjeneratës së dytë të Normales së Ferizajit, ku kaluam bashkë pesë vite.
E nderuara kolege e gjeneratës sonë Nazire Cura – Zogaj,
Asnjëherë nuk e kam mendua se unë do të shkruaj dhe të lexoj fjalët lamtumirëse për ty Nazire, bijë e Krajës. Nuk e kam lehtë se edhe zani po me tradhton tue i lexua këta rreshta, se ikja jote nga kjo jetë pikëlloi jo vetëm familjen, miqtë, shokët e shoqet e gjeneratës, po edhe të gjithë ata e ato që të njoftën, që patën rast të mësojnë e punojnë me ty..
Me Nazirën mësuam bashkë që si fëmijë, në Shkollën Fillore në Ostros. Më kujtohet kur në klasën e shtatë dhe të tettë, fort mirë, se ishin vetëm dy vajza: Nazirja dhe Fatimja. Për arsye të njohura, patriarkale, në atë kohë shumë prind i ndalojshin vajzat të ndjekin shkollat! E Nazirja ishte shembull në mësime, në sjellje e aktivitete, përkundër kushteve të vështira që i kishte dhe i kishim.
Rasti e deshti që të jemi gjeneratë edhe në Normalen e Ferizajit gjatë shkollimit në shkollën e mësuesisë. Po edhe në internat, ku banojshin nxanësit që ishin larg Ferizajit. Në vitin shkollor 1962/63, që ishte gjenerata e dytë, në Normalen e Ferizajit nga Kraja u regjistruan dy vajza: Nazire Cura dhe Fatime Gjeçbritaj dhe tre djelm: Zija Gjençiqi, Osman Kaca dhe unë M. Bardhi.
Meritë të posaçme për regjistrimin tonë ka mësuesi e edukatori, që doli nga normalja “Zef Lush Marku” e Shkupit, fort i nderuemi Nezir Koliqi.
Kosova na i hapi dyert e shkollave. Na pranoi në gjiun e saj, sidomos atëherë kur po hapej horizonti i dijes edhe për ne. Por edhe na ia kthyem me të mira. Mësuam. Mësuam shumë. Ishim nxanës të dalluem.
Nazirja gjithherë ishte përpara moshatarëve, si në mësime dhe aktivitete të lira. Nazirja diplomoi me rezultat të shkëlqyeshëm. Në krejt atë gjeneratë dy nxanës diplomuan me rezultat të shkëqyeshëm. Të dy ishim nga Kraja. Nazirja printe.

Në Kosovë përpos dijes shkollore, morëm dhe forcuam dijen, dashuninë e vetëdijen kombëtare. Fillet e ndjenjave kombëtare i morëm në Krajë. Ato i gjetën në tregimet e prindëve, pastaj në kangët kranjane që këndoheshin në darsma e fejesa, në vallet kranjane, kangët që kishin ndjenjën e hollë, por të qartë, të hapët kombëtare. Ndërsa në Kosovë e mësuam. U poqëm edhe atdhetarisht. Nuk kalojshin dy muaj që inspektorët e UDB-së mos të na bastisin në internat! I futshin duart nëpër libra dhe nëpër ato pak tesha tonat që kishim! Na kërcënonin që “t’ju tregojmë se ku i kemi librat e ndalueme, librat e Shqypnisë…!?”
Në Krajë në atë kohë kishin fillua aty këtu edhe disa ndigjuese me tela dhe transistorët e parë me baterie, që mundësojshin të ndigjohen kangë me çifteli në radio Tirana, nga gjithmonë i kemi pasë veshët, po edhe sytë, se Shkodrën e kemi pas afër, po edhe aq larg!? UDB-ja, edhe atë gëzim, direkt apo përmes “agjituesve të vet (!)” u munduan të na pengojnë, por kurrë, asnjëherë nuk mujten me na e ndalua.
Edhe në këtë drejtim Nazirja na printe. Ajo asnjëherë nuk pushoi, por me shembuj konkret e manifestonte, e shprehte pakënaqësinë me pozitën tonë të nëpërkambun. Ajo kundërshtoi me organizime konkrete. Edhe këtu ishte një hap përpara, përpara kohës, asaj kohe të zymtë, kur pushteti sllavo-serbo-malazez kishte provua të mbylli shkollën shqipe. Në Ulqin i kishte mbyllë shkollat në gjuhën shqipe dhe nxënësit i detyroi të shkojnë në shkollat në gjuhën serbe. Edhe në Ostros pushteti hapi një klasë-paralele në gjuhën serbe, sepse disa shërbëtorë të regjimit, haptas, në ndeja darsma e vdekje propagandonin anti shqiptarizmin. Me “porosi” flitshin kundër gjuhës shqipe! Flitshin pa pra: – Gjuha shqipe vien (vlen) vetëm deri në molën e Sjerçit! Deri sa të hypesh në vapor (anije), ku duhesh të marrësh buletën te kapetan Dushani, në lundrim për Vir Pazar e Planicë (Pllavnicë), në rrugë me “qiro” për Podgoricë ku baballarët tanë mundoheshin të shitshin mallin e tyne të prodhuar me mund e gjak. Kur duhanin ta peshonin ata dhe ta çmonin ata – “stimatorët”, malazezë…!?
Nazirja këtë e hetoi shumë herët. E pa në të gjitha shtëpitë e familjet kranjane. Punojshin e ripeshin e në fund prodhimin ta merrnin me çmimin sa ata donin e si të donin!? Ishte monopol, në duar të të huajit…
Për këtë Nazirja organizoi kundërshtimin e hapun publik. Në fillim të viteve të 80-ta organizoi grupin ilegal JEHONA E KRAJËS dhe në natën e 27 nëntorit (1982), në prag të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, grupi i saj i mbushi katundet me trakte se “shqiptaria për shqiptarin isht mbi të gjitha!”. Nji të tillë afishe e kishin ngjitë edhe në trungun e vidhit në qendër të katundin tim, në Kështenjë… Në natje herët, kalova atypari, e lexova… Ishin kërkesa të arsyeshme, të cilat na shqetësonin për çdo ditë. Por pushtetin komunist malazias u ngrit në kambë. Shpejt u alarmuan në Stacionin e Policisë në Ostros. Komandiri i policisë Z. “i bani tel” Tivarit dhe Titogradit:
“Anmiku nëpër Krajë shpërndau trakte shqip!” Pra, nuk shikohej se çka kishte, çka shkruhej në afishe, çka kërkohej… Për pushtetin, mjaftonte se ishin në gjuhën shqipe.

E ajo ishte jeres, e ndalueme, ishte “anmiqësore, e ne, që jetojmë në trojet tona stërgjyshore arbnore pse kërkojshim të drejtat tona legjitime natyrore (për ata) ishim anmiq !?”.
Nazirja nuk heshti, por veproi. Kërkoi të drejta. Për çka UDB-ja, policia serbo-malazeze sllave e përndoqi, e burgosi e dënoi, e torturoi fizikisht e mendësisht. Shumë vite kaloi nëpër burgje, si në burgun e Spuzhës, afër Podgoricës, në burgun e Beogradit, pastaj në Ferizaj, në Nish, në Mitrovicë dhe në Prishtinë. Nji kalvar vuajtjesh pa fund. Por ajo qëndroi, nuk u dorëzua as në momentet ma të vështira.
Nga Kosova ku ishte e martueme, kur vinte në vendlindje në Krajë, pushtetarët alarmoheshin, për mos me thanë friksoheshin. Nuk dihet se cili, cilët ma shpejt vrapojshin në polici me lajmërua se: “- Erdh Ajo! – Kush? Cila – pyetshin? – Erdh Nazirja, lajmëronte, me nji gjysmë zanit hysmeqari vendas! Shpirtshituni! O Zot, po për çka ta lajmëronte!?Për çka të lajmëronte? Ajo nuk bante asnji punë të keqe. Ajo bante vetëm të mira. Ajo po i dilte zot vetës, po na dilte zot ne, të gjithëve.
Nazirja ishte mësuese, profesoreshë, edukatore e devotshme. Ishte dhe do të mbesë përgjithmonë e tillë – edukatore e përkushtueshme dhe atdhetare e pakompromis. Fatkeqësisht, ashtu siç bajmë ne, nuk e vlerësuam ashtu si e meritonte sa ishte gjallë!? Pse vallë nuk e çmojmë të vetin, po pyes edhe sot!?
Me Naziren, ne kolegët e gjeneratës, takoheshim në përvjetorë. Takimi i fundit ishte kur në nji restorant në Nerodimje të Ferizajit, festuam 50-vjetorin e maturës, më 2017. Atëherë nuk na mori mendja se do të ishte edhe takimi i fundit me Naziren. Por vdekja nuk pyet për planet. Nazirja u nda nga kjo jetë, por ajo do të mbetët shembëlltyrë e mirësisë, edukatores së përkushtueshme, e prindit të dashtun, e shoqënisë së sinqertë dhe e atdhetares së devotshme. Lirisht dhe me meritë mund ta cilësojmë heroinë e Krajës, po se po, por edhe heroinë shiptare në rrafshin gjithkombëtar. Pra, të krenohemi që e patëm.
Nazire, kolegia jonë e gjeneratës, flej e qetë në dheun e vendlindjes.
Do të jeshë dritë e pashueshme për të mirën atdhetare e njerëzore, ndërsa ankth i pailaç, që ke me i lanë pa gjumë përndjekësit e tu, informatorët postierë, e pasardhësit e tyre – në turpin e përjetshëm.
Nazire, shkove, u shkollove, krijove familje, punove jashtë, por shpirtin e pate në Krajë, ku edhe do të pushosh përgjithmonë.
Familjarë e farefis dhe ju miq, që sot erdhët me i dhanë lamtumirën e fundit kësaj trimneshe kranjane shqiptare: Kjofshi me jetë e me faqe të bardhë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të premten në Kala: Përurimi i dy librave të Adriatik Kelmendit
Të premten në Kala: Përurimi i dy librave të Adriatik Kelmendit

  Promovimi i dy librave të njohur, të autorit Adriatik Kelmendi, do bëhet në hapësirat e Muzeut të Ulqinit, të premten nga ora 20:30, në Kalanë e Ulqinit. Këtë e bëri të ditur vet drejtori i Klan

Policia: ARRESTOHET PERSONI ME 54 GRAMË MARIHUANË
Policia: ARRESTOHET PERSONI ME 54 GRAMË MARIHUANË

Mbrëmë rreth orës 19:30 policia ka ndaluar veturën në Kodra dhe ka kontrolluar shoferin P.P. (42) nga Tivari, është bërë e ditur nga Drejtoria e policisë. “Aty është gjetur një pako PVC me lëndë narkotike

Qeveria e Malit të Zi: NGA NESËR MË TË LIRË ÇMIMET E KARBURANTIT
Qeveria e Malit të Zi: NGA NESËR MË TË LIRË ÇMIMET E KARBURANTIT

Nga e martja do të ketë zbritje të re në të gjitha llojet e karburanteve nga nëntë deri në 12 cent në pompa, shkruajnë mediat. Eurosuper 98 do të kushtojë 1.39 euro, Eurosuper 95 do të kushtojë 1.35 euro,

Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME
Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME

Ju informojme se pas ngjarjes tragjike te ndodhur ne qytetin e Cetines dhe ne shenje repekti ndaj familjeve te viktimave, Keshilli Organizativ i protestes se banoreve te Krythes dhe Mërkotit kane marre

Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN
Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Financave, dr Agron Ibrahimi, dhe drejtori i Drejtorisë për Investime Kapitale, Esmir Beqaj, do të qëndrojnë të hënën per vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit. Ato do