Skenat e Durrësit të pas tërmetit, e bëjnë të pakuptimtë të ‘shesim mend’ rreth asaj se çka duhet bërë, pse s’është bërë, çka ka munguar, dhe pse gjithë ky shkatërrim me një tërmet pothuaj të moderuar për standarde të ndërtimit të sotëm.
Është e kot të themi që jetët janë humbur për shkak të neglizhencës së njeriut, profesionit, mungesës së kontrollit nga shtetit, korrupsionit….Është dashtë të bëhet me kohë.
Është herët dhe pavend të kërkojmë fajtorët dhe të elaborojmë rreth strategjive për mbrojtje kundër tërmeti, derisa numërohen viktimat..
Është moment emotiv, i pikëlluar, dhe nuk le vend për qetësinë e nevojshme për analizë, por kërkon veprim dhe përkrahje.
Shqiptarët në përgjithësi, dhe Kosova në veçanti, reaguan ashtu siç edhe pritet prej vëllezërve.
Zbuluam që kufijtë bëhen fiktivë atëherë kur ndahet pikëllimi dhe dashuria. Zbuluam që animozitetet artificialisht të ushqyera u avulluan në sekonda.
Shpresoj të zbulojmë se çka do bëjmë pas dhe të kuptojmë që s’duhet të lejojmë që viktimat të shndërrohen në një numër, t’i bëjmë ato me emër dhe mbiemër, dhe flijimi i tyre ti shërbej vetëdijesimit të njerëzve, shoqërisë dhe në rend të parë shtetit.