Para disa ditësh kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq deponoi me vullnetin e vet përballë prokurorisë speciale. Deponimi lidhej me skemën sipas tij – të funksionimit të kartelit të kontrabandës së cigareve, si mbështetës i kartelit të shpërndarjes së kokainës.
Në goditjen e këtyre dy grupimeve, vitin që shkoi u arritën suksese të mëdha, kur u sekuestruan tonelata cigare, por edhe kokainë.
Ky deponim nuk është diçka rutinë, por është unike në historinë e Ballkanit dhe për pasojë dhe të Malit të Zi. Në Ballkan, politikanë të nivelit të lartë akuzojnë nga foltoret parlamentare duke u fshehur pas imunitetit dhe të drejtës së fjalës, por në fakt janë duke shantazhuar njeri- tjetrin. Kemi parë sesi përdoren media të caktuara në funksion të narrativave denoncuese, në fakt shantazhuese të shoqishoqit, që mbase shndërrohen në bukë elektorale, por jo lëndë pune për prokurorin. Këto narrativa kudo në Ballkan rrallë gatuhen si bukë për organet e drejtësisë, të cilat mund të nisin hetimet edhe kryesisht, pra me iniciativë të tyre, ama nuk e bëjnë për shkak të inflacionit të akuzave nga foltoret partiake.
Krahasuar me të kaluarën dhe normën dominante në Ballkan (apo dhe më gjerë), shkuarja e një kryeministri në dyert e prokurorisë është hap cilësor unik përpara. Deponimi para organit të hetimit ka vlerën e provës legale. Kryeministri bëhet automatikisht nxitës, apo palë e një hetimi legal, madje bëhet dhe dëshmitar në gjyq. Një veprim i tillë trimëron prokurorinë, apo organet e hetimit, e të drejtësisë i bën ato më të përgjegjshme të veprojnë. Provat e ofruara ndonëse në nivel operativ nuk mund të injorohen nga askush dhe përbëjnë detyrim absolut për të shkuar deri në fund. Kjo lloj perspektive unike merr vlerë të jashtëzakonshme në një vend të vogël ku të gjithë njihen me njeri tjetrin, ku jeta politike dhe shtetërore është dominuar nga një njeri dhe një parti e vetme, dhe ku frika, autocensura janë legjitime.
Muhameti shkoi tek Mali, që në fund të hetimeve dhe Mali të shkojë tek Muhameti: prokuroria ftohet të godasë gjithmonë e më lart elitat e korruptuara që nuk mund t’ i largojë askush nga pushteti. As vota…!
Dritan Abazovia e bëri këtë veprim sot, jo rastësisht. Ai u bë protagonist i jetës politike të Malit të Zi me guximin e tij si veprimtar shoqëror dhe politikan për të denoncuar ato që ai i ka quajtur lidhjet e krimit me politikën. Historia politike e Ballkanit njeh megjithatë plot politikanë që sa janë në opozitë e kultivojnë fuqishëm dimensionin denoncues, dimension që e harrojnë sa vijnë në pushtet. Në fakt kryeministrat nuk arrestojnë askënd, ata thjesht ndihmojnë hetimin me informacionet e tyre ekzekutive, me ekspertizë ekonomike, me krijimin e kushteve për punë dhe pavarësi të organeve të drejtësisë. Por vektori denoncues i veprimtarisë së Abazoviqit vijuar në mënyrë konstante dhe ngritëse, si numri dy i qeverisë dhe tani si kryeministër, me veprimin e fundit arriti një përmasë të re. Kjo përmasë denoncuese dhe goditjeje grupesh të fuqishme me pushtet politik, juridik dhe ekonomik ishte qartësisht shkaku kryesor pse Abazoviq shkoi gati vullnetarisht drejt rrëzimit të qeverisë së vet me duart e tij. Në mbrojtje të status-kuosë, dhe frenimit të rritjes elektorale të këtij njeriu, DPS, partia kryesore e prekur prej kësaj veprimtarie, bashkoi votat me një parti të opozitës për ta rrëzuar kryeministrin me moshën më të re në Ballkan.
Mirëpo me këtë akt, loja ndryshoi. Ky hap riorienton figurat në skakierën politike të Malit të Zi. Abazoviq kaloi në aksion institucional dhe krejt figurat politike nuk kanë më të njëjtën vlerë si para aksionit. (Pamfleti.net)