Rreth 40 gra dhe vajza nga të gjitha bashkësitë lokale të komunës së Ulqinit morën pjesë në trajnimin dyditorë për gratë nga bashkësitë lokale me temën e aktivizmit qytetar dhe vullnetarizmit, organizuar nga shoqata joqeveritare “Instituti Punta”.
Në trajnim u diskutua edhe për parimet e pjesëmarrjes, monitorimit dhe krijimit të politikave publike, sundimin e ligjit, advokimin dhe komunikimin. Fokus i veçantë u kushtua përfshirjes së grave në punën e bashkësive lokale dhe u iniciua procesi i krijimit të një rrjeti joformal të grave në Ulqin.
Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre të ndryshme të aktivizmit dhe vullnetarizmit në komunitetet e tyre, ku morën pjesë në mënyrë aktive, por edhe sfidat që i penguan t’i bëjnë këto aktivitete të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.
U konkludua se vetëm kur problemet e një komuniteti të fillojnë të zgjidhen me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të tij, përfshirë edhe gratë, do të jemi një hap më afër realizimit të të drejtave të grave, që nënkupton jo vetëm që ato të jenë të informuara, por edhe të përfshira aktivisht në vendimmarrje.
Ligjëruese në trajnim ishte Branka Vllahoviq, eksperte për barazi gjinore në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, trajnere e certifikuar e Gender Task Force, UNDP dhe OSBE për barazi gjinore, ndërsa moderatore e ngjarjes ishte Hadixha Gjoni, trajnere e certifikuar e UNDP-së dhe OSBE-së për barazi gjinore, ish-nënkryetare e Komunës së Ulqinit dhe këshilltare shumëvjeçar në parlamentin lokal.
Projekti “Qytetarisht dhe vullnetarisht – politika gjinore aktive për Ulqinin!”, që zbatohet nga Instituti Punta, u mbështet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formësimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.