Në kuadër të Sesionit Plenar të Pranverës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, priti sot Kryeministrin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviq.
Kryetari i Kuvendit, Meta e falënderoi Kryeministrin Gjukanoviq për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe duke e uruar për firmosjen së fundmi të protokollit të anëtarësimit mes Ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s dhe Malit të Zi, e siguroi Kryeministrin Gjukanoviq se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë parlamenti i parë që do të ratifikojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.
Gjatë takimit, z. Meta dhe z. Gjukanoviq biseduan edhe mbi të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi, duke ndarë bindjen e përbashkët se të drejtat e pakicave janë një vlerë e shtuar për çdo vend të rajonit, ashtu si në të gjithë vendet anëtare të NATO-s.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kryeministri Gjukanoviq u informuan prej Ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri, z. Ferhat Dinosha mbi debatet e fundit rreth përdorimit të disa përkufizimeve shqetësuese në fjalorin e gjuhës malazeze nga ana e Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, ku u nda bindja e përbashkët se terminologjitë e përdorura shkojnë ndesh me karakterin autokton të shqiptarëve të Malit të Zi.
“Falënderuar Kryeministrin Gjukanoviq për vëmendjen që ai i ka kushtuar vazhdimisht minoriteteve në vendin e tij, sepse ky është një element mjaft i rëndësishëm edhe për standardet e një vendi anëtar të NATO-s dhe kam dëgjuar më kënaqësi angazhimin e tij për të forcuar më tej dialogun me shqiptarët në Malin e Zi dhe me pakicat e tjera për t’i avancuar më tej të drejtat e tyre, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimin Europian”, tha Meta pas takimit.