Milla: Katër objektet e rrezikuara mund të sanohen për sezonin 2026

Pas motit të lig dhe erës së fortë të jugut që goditi bregdetin e Ulqinit, situata në Adën e Bunës po shkon drejt qetësimit. Drejtori i “Rivierës së Ulqinit”, Armend Milla, në një prononcim për Radio Ulqinin, ka bërë të ditur se tërheqja e detit dhe rënia e intensitetit të erës kanë larguar rrezikun e menjëhershëm për objektet e këtij kompleksi.
Objektet janë jashtë rrezikut nga përmbytja.
Milla konfirmoi se katër njësitë akomoduese që ishin më të rrezikuara nga depërtimi i ujit, aktualisht janë të thata dhe jashtë rrezikut.
“Lajmi i mirë është se sot deti është tërhequr dhe era e jugut është më e butë. Katër objektet që ishin të rrezikuara nuk kanë kontakt me ujin për momentin. Besojmë se ato do të sanohen me sukses për të qenë në funksion të plotë për sezonin turistik 2026”, u shpreh Milla.

Nga prurjet e Bunës te ndërhyrjet në rajon
Drejtori i Rivierës theksoi se problemi i erozionit në Adë është kompleks dhe lidhet me mungesën e sedimenteve (rërës) që sjell lumi Buna. Sipas tij, pastrimi i shtratit të lumit dhe ndërtimi i digave në anën e Shqipërisë kanë zvogëluar sasinë e rërës që dikur mbronte natyrshëm plazhin.
Për të përballuar këtë situatë, ai theksoi rëndësinë e “masave të buta” siç janë dunat artificiale, të cilat u realizuan në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi dhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor.

Drejt një zgjidhjeje afatgjatë
Milla bëri të ditur se hapat e radhës kërkojnë një strategji më serioze dhe fonde më të mëdha, duke respektuar gjithashtu standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit.
Janë nisur bisedimet me Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.
Pritet që Qeveria e Malit të Zi të ndajë mjete më të mëdha financiare për një projekt madhor që do të siguronte mbrojtjen e Adës në afat të gjatë.
Ky vit shihet si kthesë për fillimin e projektit të revitalizimit të kësaj perle natyrore.
“Shpresojmë që kjo ishte goditja e fundit nga moti i lig për këtë vit dhe se deri në sezonin veror nuk do të kemi probleme të kësaj natyre”, përfundoi Milla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi