Në një intervistë për Radio Kosova ministri i punëve të jashtme i republikës së Shqipërisë Ditmir Bushati foli edhe për marrdhëniet të Shqipërisë me Malin e Zi.
“ Mund të thuhet pa mëdyshje se marrëdhëniet shqiptaro malazeze janë marrëdhënie model, që duhet të ndiqen edhe nga vende të tjera të rajonit. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë apo se nuk ka asnjë çështje për tu trajtuar në bisedimet shqiptaromalazeze. Ju përmendet rastin e Tuzit. Ne kemi mbështetur pikëpamjet që duhet të njihet statusi i komunës, sepse konfiguracioni aktual i përfaqësimit politik në Malin e Zi nuk reflekton në mënyrë proporcionale komunitetet e ndryshme që jetojnë në Malin e Zi. Besojmë që komuniteti shqiptar në Mal të Zi do të vazhdoj të jetë faktor stabiliteti në këtë vend sikundër ishte faktor përcaktues për mëvetësinë e Malit të Zi. Edhe sa i përket Malit të Zi, jemi në kontakte të vazhdueshme me faktorin shqiptar atje. Nisim një qëndrim sa më koherent dhe sa më të unifikuar kur vjen puna për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive të të drejtave legjitime të popullsisë shqiptare në Malin e Zi. Dhe, nga ana tjetër niveli i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me këtë Republikë do të thosha që është një model për tu marrë shembull edhe nga vende të tjera”, shtoi ministri Bushati.