Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka ndërmarrë aktivitetet për zhvillimin e konceptit dhe zgjidhjes ideore për ndërtimin e portit të ri të peshkatarëve në Kepin e Gjeranave – Plazhi i Madh (Komuna e Ulqinit) në kuadër të projektit MIDAS 2, dhe për momentin po e bënë vlerësimin e ndikimeve potenciale të portit në pajtim me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedisin Jetësor (Gazeta Zyrtare e Malit të Zi, nr. 75/18) dhe me politikat dhe procedurat operative të Bankës Botërore në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe të shoqërisë.
Projekti i dytë i zhvillimit dhe fuqizimit institucional të bujqësisë në Malin e Zi (MIDAS 2), i cili financohet nga Banka Botërore, ka për qëllim të fuqizojë konkurrueshmërinë e bujqësisë dhe peshkatarisë në Malin e Zi përmes përkrahjes së rritur të organeve shtetërore në procesin e harmonizimit me kërkesat e Bashkimit Evropian. Grupi i synuar përfshinë bujqit dhe peshkatarët lokal, prodhuesit e produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë dhe shoqatat që do të kenë dobi nga programi i granteve dhe i fuqizimit të kapaciteteve që ofrohen përmes këtij projekti.
Aktivitetet konkrete të projektit kanë të bëjnë me ndërtimin e portit të ri të peshkatarëve në anën lindore të Kepit të Gjeranave, pranë hyrjes në kanalin Port Milena. Objekti i ri i portit të peshkatarëve është projektuar në mënyrën që baseni dhe skela do të mbrohen nga depërtimi i valëve, derisa, njëkohësisht, infrastruktura e jashtme (valëkëmbësi) nuk do ta pengojë në masë të madhemënyrën e lëvizjes së prurjeve të rërës përgjatë bregut të detit (Plazhi i Madh).
Janë shqyrtuar dy pamje alternative të Portit. Duke marrë parasysh mendimin e palëve të interesuara, alternativa e dëshiruar, e cila shihet në fotografinë e mëposhtme, do të ketë mundësi të pranojë deri në 79 barka (60 barka peshkimi dhe 19 barka për rekreacion), me 12 barka tjera për rekreacion për nevojat e ankorimit sezonal. Në zonën e portit të peshkatarëve do të krijohet sipërfaqja e nevojshme e tokës e cila do të mundësojë qarkullimin dhe manovrimin e lehtë të kamionëve të vegjël, e në te do të jetë salla për përpunimin dhe ftohjen e peshkut, si dhe 60 kabina për peshkatarë.
Në këtë kontekst, Konzorciumi – ROGAN ASSOCIATES S.A. i PASECO SP LTD organizon takimin për tu konsultuar me të gjitha palët e interesuara lidhur me projektin e planifikuar, me synimet kryesore që:
- Të informojë opinionin për Projektin
- Të prezantojë rezultatet e hulumtimit si pjesë e procesit të analizës e cila do të merret parasysh gjatë hartimit të Vlerësimit të ndikimit në shoqëri dhe mjedisin jetësor
- Të grumbullojë informatat kthyese nga të pranishmit lidhur me këto rezultate, si dhe të shqyrtojë të gjitha opsionet dhe t’i ofrojë publikut mundësinë që të japë mendimine tij për Projektin e planifikuar.
Konsultat publike do të mbahen më 9 mars 2022, në Sallën e Madhe të Komunës së Ulqinit, me fillim në ora 11. Më shumë informata për evenimentin mund të merrni duke kontaktuar numrin e telefonit 020 482 270.