Kanë shëtitur më shumë se dy javë nëpër të gjithë Shqipërinë, por kanë përfunduar në Ulqin. Qyteti ynë është ndalesa e fundit që të bukurat shqiptare kanë ndërmarrë. Pasi, pikërisht këtu do të zhvillohet konkursi i bukurisë “Miss Shqipëria 2014”. Finalja e madhe do të mbahet në datën 27 qershor, por vajzat së bashku me stafin që do të realizojë këtë edicion të “Miss Shqipëria” kanë mbërritur në Ulqin që në mbrëmjen e kaluar për të nisur punën.Pas një turi të gjatë nëpër të gjithë Shqipërinë, ndoshta kjo do të jetë pjesa më e vështirë për stafin, i cili duhet të përgatitet për t’i sjellë diçka të mirë audiencës në Shqipëri.
Si çdo herë edhe këtë vit garojnë 31 vajza të përzgjedhura ditët e fundit të majit nga organizatorët e eventit. Këtë vit kanë garuar gati 240 vajza, të cilat fillimisht pretendonin të ishin në grupin e 31 më të mirave.Këngëtarja Orinda Huta do të jetë prezantuesja e këtij eventi, por nuk do të mbetet me kaq. Ajo nuk do të mungojë në skenë edhe si këngëtare. Të tjerë këngëtarë që do t’i bashkohen skenës janë artistët e njohur shqiptarë si: Irma Libohova, Elton Deda, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Mihrije Braha etj.
Foto: Gëzim Mavriq