“Për arsye të portës së paligjshme në ishullin Ada, të shtunën me 15 qershor, do të organizojmë performancë në atë vend”, është njoftuar nga Monitoring grupi Ulqin (MOGUL).
Siç deklaroi për portalin UL-info drejtori ekzekutiv i MOGUL-it Xhemal Peroviq, kjo organizatë e ka vërtetuar që bëhet fjalë për rrugë publike dhe për vendosje të paligjshme të portës me të cilën ndalohet hyrja e lirë në breg të detit. “Kemi prova me shkrim që bëhet fjalë vetëm për kalimin e përgjegjësisë të institucioneve shtetërore nga njëri në tjetrin. Por, ne si qytetar kjo nuk na intereson, ne na intereson respektimi i ligjit dhe i zakoneve të mira ”, shtoi ai.
Peroviqi tha që këtë performancë MOGUL-i e organizon në bashkëpunim me organizatat partner nga Podgorica, Nikshiqi dhe Berane.