Në kuadër të projektit që po realizon OJQ Monitoring Group Ulqin – MOGUL në fushën e luftës kundër korrupsionit në arsim, po fillojmë hartimin e analizës që lidhet me procesin e formimit dhe shpërndarjes së normës mësimore (fondit të orëve) në shkollat fillore dhe të mesme në territorin e komunës së Ulqinit.
Procesi i formimit të normës mësimore, siç tregojnë përvojat e shumta nga arsimi, jo rrallëherë përcillet me dyshime për joobjektivitet dhe veprime korruptive. Në vend që norma të ndahet në bazë të kritereve transparente, profesionalizmit, viteve të përvojës së punës apo rezultateve të arritura në punë, ekzistojnë indicie se vendimet merren nën ndikim të fortë politik, personal apo klientelist. Favorizimi i individëve në dëm të të tjerëve, “rregullimi” i normës sipas vijës partiake apo farefisnore, si dhe netransparenca në vendimmarrje, cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin profesional të punonjësve arsimorë dhe cilësinë e procesit edukativo-arsimor.
Qëllimi i kësaj analize është që, përmes mbledhjes së të dhënave konkrete dhe përvojave të punonjësve arsimorë, të shqyrtohet se në çfarë mase korrupsioni ndikon në proceset e shpërndarjes së orëve, si dhe cilat janë pasojat e praktikave të tilla për kuadrin mësimor dhe atmosferën e punës në shkollat tona.
Prandaj, ftojmë punonjësit arsimorë, si dhe të gjithë qytetarët e interesuar, që të marrin pjesë në këtë anketë të shkurtër dhe plotësisht anonime, duke kontribuar kështu në krijimin e një pasqyre reale dhe objektive mbi këtë problem. Anketa është e thjeshtë, nuk kërkon futjen e të dhënave personale dhe për plotësimin e saj nevojiten vetëm pak minuta.
Të gjitha përgjigjet e mbledhura do të përdoren ekskluzivisht për qëllime kërkimore, në kuadër të hartimit të analizës e cila do të prezantohet publikisht dhe do t’u dërgohet institucioneve relevante, bashkë me rekomandime konkrete për përmirësimin e transparencës dhe mbrojtjen e integritetit të punonjësve arsimorë. Pjesëmarrja dhe mendimi Juaj janë të një rëndësie të veçantë në luftën për një sistem arsimor më të drejtë dhe më profesional në Ulqin.
Ju lutemi që ta plotësoni anketën përmes linkut:









