Rreth 70 për qind e qytetarëve të Ulqinit mendojnë se korrupsioni është i pranishëm në masë të madhe, ndërsa më së shumti e gjenerojnë partitë politike, u deklarua në tryezën e rrumbullakët të Monitoring Grupit Ulqin (MOGUL) e cila u mbajt të enjten.
Anketa me 200 qytetarë u realizua në kuadër të projektit “Përgjegjshëm për Ulqinin”, të cilin e implementoi MOGUL-I, ndërsa është përkrah përmes programit “Ta vendosim korrupsionin në muze” të cilin e realizon Qendra për Arsimim Qytetarë (CGO), në bashkëpunim me OJQ Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI), OJQ Bonum nga Plevla, OJQ UL-Info nga Ulqini dhe OJQ “Za Druga” nga Petrovci, në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike dhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, e me përkrahjen e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është rritja e transparencës në punën e vetëqeverisjes vendore dhe nivelit të luftës kundër korrupsionit në nivel lokal.
Në tryezë të rrumbullakët, në të cilën morën pjesë funksionarët lokal, përfaqësuesit e sektorit civil dhe të qytetarëve, u prezantua edhe Plani i Integritetit i Komunës së Ulqinit 2018 – 2020.








