Ulqini është qyteti më i vjetër në Adriatik. Në territorin e tij ndodhen dy qytete antike: Kalaja e Ulqinit dhe Shasi. Ato gjithmonë kanë qenë vende ndërkulturore, e ky është kapitali më i madh shoqëror i kësaj komune.
Hulumtimet konfirmojnë se turistët dhe vizitorët e njohin dhe e vlerësojnë lart përmbajtjen kulturore-historike të këtij rajoni, megjithëse pjesa më e madhe e burimeve kulturore të Ulqinit nuk është valorizuar turistikisht dhe nuk është prezantuar për publikun e gjerë.
Kjo, para së gjithash, i referohet Kalasë, e cila, siç ka thënë arkitekti i njohur francez Benjamin Mouton, është pjesë e një kuadri të rëndësishëm në nivel evropian. Drejtoria për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore të Malit të Zi i ka dhënë kësaj tërësie arkitektonike statusin “pasuri kulturore e paluajtshme me rëndësi kombëtare”.
Në këtë institucion thuhet se Kalaja e Ulqinit përfaqëson një tërësi unike urbane me shembuj të arkitekturës nga periudha të ndryshme, me dominimin e ndërtimeve nga periudha e sundimit venedikas dhe osman, brenda të cilës gjenden rreth 220 objekte. “Kalaja ka ruajtur konceptin urbanistik, pavarësisht nga disa ndryshimet në nivelin e objekteve individuale,” thuhet në atë dokument dhe përfundon se duhet të hartohet një projekt restaurimi për qëllimin e mbrojtjes së vazhdueshme dhe përdorimit të qëndrueshëm të kësaj pasurie kulturore.
“Jam i bindur, dhe proceset e konfirmojnë këtë, se çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë do të vizitojnë Kalanë dhe Ulqinin. Kjo është dëshmi se ne jemi një qytet i hapur, dyert e të cilit nuk mbyllen kurrë. Hyrja në këtë kala, të themeluar në shekullin e 5-të para erës sonë, nuk ka pagesë dhe të gjithë janë të mirëpritur këtu,” thotë kryetari i Shoqatës “Kalaja”, udhërrëfyesi i njohur turistik Ismet Karamanaga.
Sipas tij, në të gjitha komunitetet e zhvilluara kultura është një burim i rëndësishëm shoqëror dhe ekonomik, së bashku me burimet natyrore, dhe kështu duhet të jetë edhe në Ulqin.
Megjithatë, në nivel lokal ende punohet pak për të shfrytëzuar kapitalin dhe traditën e madhe kulturore të kësaj zone. Qendra për Kulturën në Ulqin tradicionalisht vuan nga mungesa e fondeve, një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore është e lënë pas dore, vendi dikur i famshëm për detarinë dhe kusarinë nuk ka as muze detarie…
“Është e nevojshme të mobilizohet kapitali kulturor për të sjellë të ardhura dhe për të krijuar vende pune, që janë qëllimet kryesore të çdo strategjie lokale të zhvillimit. Kushti paraprak për të gjitha këto është që Komuna të miratojë një program të zhvillimit të kulturës,” kanë deklaruar organizatat e shoqërisë civile nga Ulqini.
Në vetëqeverisjen lokale thuhet se kjo është edhe detyrimi i tyre ligjor, por që për një dokument të tillë duhet të mblidhen shumë informacione rreth trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, gjendjes së objekteve sakrale, gjetjeve arkeologjike, fushave të krijimtarisë artistike dhe gjithçkaje tjetër që përbën kulturën në kuptimin më të gjerë.
Por, kjo punë është lehtësuar nga fakti që për nevojat e Planit hapësinor të dedikimit të veçantë për zonën bregdetare, që përfshin të gjitha territoret e komunave bregdetare, është përgatitur Studimi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në Komunën e Ulqinit, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Stimulimin e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e Ministrisë.