Mr. Ali Bardhi: Shkollat fillore publike katërvjeçare (sibjan dhe ibtidai mektebet) në trevën e Krajës sipas dokumenteve të Arkivit Osman të Shtetit – Stamboll

Abstrakti

Studimi që keni në dorë ka objekt trajtimi dokumentimin e shkollave fillore publike (mektebeve) në trevën e Krajës (fundi i shek.XIX dhe fillimi i shek.XX) duke iu referuar dokumenteve të Arkivit Osman të Shtetit – Stamboll (BOA) që ne kemi arritur të hulumtojmë.

Këto dosje na informojnë për ekzistencën e shkollave fillore publike (mektebeve), emërimin e mësimdhënësve, dhënien e pagave, hierarkinë e saj etj. Njëherit kuptojmë se disa shkolla fillore kanë ruajtur emrin e vjetër “Sibjan”, disa të tjera me reforma me emrin e ri “ibtidai”.

Duke dashur që njohuritë tona rreth këtyre shkollave të pasurohen akoma më tepër, jemi përpjekur që të japim informacion shtesë edhe nga arkivat e xhamive Skje dhe Muriq Poshtë të trevës së Krajës, të mbetura deri më sot, si edhe ditarit personal të punës së inspektorit për arsim në Vilajetin e Shkodrës, Daut Boriçi (1870-1877).

Historia e vendbanimit të Krajës është mjaft e lashtë dhe përgjatë saj ka pasur plot jetë dhe aktivitet, nga kuedhe kanë dalë personalitete të njohura si në vend ashtu edhe më gjerë. Ndër dëshmitë kryesore që argumentojnë jetënnë një vend, si pjesë e rëndësishme e kulturës materiale dhe shpirtërore janë edhe shkollat.

Në lidhje me fushën e arsimit studimet janë të mangëta për këtë trevë përpara shek. XIX, prandaj në të ardhmen duhen bërë hulumtime.Kohët e fundit janë bërë disa hulumtime që kanë për objektiv shkollat fillore të trevës së Krajës përgjatë shek. XX deri në ditët e sotme nga autorë vendas dhe të tjerë, duke përfshirë edhe shkollat mektebet gjatëfundit të shek. XIX dhe fillimit të shek.XX[1], por nuk kemi ndonjë të tillë me referenca nga dokumentacioni arkivor osman.

Në lidhje me temën në fjalë kemi marrë për referencë pesëmbëdhjetë (15) dosje nga Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll, nga ku njëmbëdhjetë (11) dosje i përkasin fondit MF.MKT. (Maarif Mektubi Kalemi), dy (2) dosje MF.İBT. (Maarif İbtidai Kalemi) dhe dy (2) dosje ML.EEM (Maliye Nezareti).Dy fondet e para janë të ndërlidhura direkt me çështjet arsimore, kurse fondi i fundit ndërlidhet indirekt nëpërmjet Ministrisë së Financave.

Më poshtë po paraqesim në mënyrë të përmbledhur përmbajtjet e dosjeve që bëjnë fjalë për këto shkolla, kurse në pjesën shtesë janë paraqitur disa nga faksimilet origjinale.

  1. Shkolla fillore (ibtiadi mektebi) në Arbnesh – Nahija e Krajës

Rreth ndërtimit të shkollës fillore (ibtidai mektebit) të fshatit Arbnesh ekzistojnë të dhëna të shënuara në vjetarët e Ministrisë së Arsimit, ku si vit ndërtimi jepet 1301/1885.[2]

Lidhur me shkollën fillore (mektebit) të fshatit Arbnesh kemi identifikuar vetëm një dosje, datë5 kanuni sani 1312 rumi/ 17 janar 1897, e cila përmban katër faqe. Bëhet fjalë për shkresa të shkëmbyera ndërmjet organeve shtetërore dhe lokale, duke filluar nga shkresa e Vilajetit të Shkodrës drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe anasjelltas dhe kalimi i vendimit tek instancat që e zbatojnë vendimin.Thelbi i gjithë këtij materiali ka të bëjë me miratimin e vendimit për pagesën e pagave ish-mësuesit të shkollës fillore (mektebit) të fshatit Arbnesh, z. Idris,i cili transferohet në shkollën fillore të fshatit Ostros i Vogël,si edhe për mësues Osmanin, i cili emërohet në shkollën e Arbneshit.Nga dokumentacioni në fjalë shohim se paga mujore e tyre ka qenënjëqind e pesëdhjetë kurush dhe se mësues Osmani,i cili u emërua në Arbnesh si mësues, të jetë kompetent pasi ka arritur që t’i kryejë me sukses provimet.[3]

  1. Shkolla fillore (sibjan mektebi) në Skje – Nahija e Krajës

Në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar pesë dosje që bëjnë fjalë për shkollën fillore (sibjan mektebi) tëfshatit Skje.[4] Në këtë punim kemi paraqitur njërën dosje të datës 22 ağustos 1308 rumi/ 3 shtator 1892 m.[5], në të cilën tregohet për hapjen e mektebit dhe emërimin e mësimdhënësit të fshatit Skje, z. Omer, me pagë 110 kurush, njëherit edhe si mësues i shkollës së re të ndërtuar në këtë fshat.[6]

Për shkollën fillore (mektebin) të fshatit Skje si edhe mësimdhënësin e saj Omer Fejzin prej Oblike bëhet fjalëedhe në disa shënime të një fletoreje në osmanisht të vitit 1317-1318 rumi/ 1901-1903,që aktualisht ndodhen në Arkivin e xhamisë së fshatit Skje. Në këtë fletore jepen edhe çmimet e mirëmbajtjes së shkollës duke siguruar drurin, dritaret, qilimat etj.[7]

Edhe inspektori i arsimit Daut Boriçi, në ditarin e tij, datë 16 eylȕl 1290 rumi / 28 shtator 1874, jep listën e disa shkollave fillore ku përfituan disa mësimdhënës, nga ku e përmendënshkollën e përbashkët për fshatrat Skje dhe Zogaj, por nuk e saktëson se në cilin prej këtyre dy fshatrave ka qenë ndërtesa. Por nga një dokument i Arkivit Osman të datës 2 ağustos 1306 rumi / 14 gusht 1890, shohim ekzistencën e shkollës në fshatin Zogaj[8], çka jep për të kuptuar se në fillim shkolla e përbashkët e tyre të ketë qenë në Zogaj e më pas në vitin 1892 të jetë ndërtuar ajo e fshatit Skje.

  1. Shkolla fillore (ibtidai mektebi) në Ostros të Vogël – Nahija e Krajës[9]

Në lidhje me ekzistencën e shkollës fillore në fshatin Ostros i Vogël kemi ndeshur tri dosje[10] nga Arkivi Osman. Në këtë punim kemi marrë për studim dosjen e cila bën fjalë për ndërtimin e shkollës dhe fillimin e punës së saj, si edhe një dosjeje tjetër e cila flet për emërimin e mësuesit në këtë shkollë.

Dokumenti i parë i kësaj dosjejei përket datës 7 mayıs 1312 rumi/19 maj 1896 dhe bart vulën e Valiut të Shkodrës, Abdullah Beut. Nga dokumenti shohim se Vilajeti i Shkodrës i dërgon një shkresë Ministrisë së Arsimit, ku pasi e falënderon atë, e njofton për ndërtimin e një shkolle/mektebi ibtidai (shkollë fillore katërvjeçare) nga ana e bashkëshortes[11] së Tahir Pashës dhe se këtë shkollë e frekuentonin dyzet e tre (43) nxënës, prej të cilëve njëzet e tetë (28) djem dhe pesëmbëdhjetë (15) vajza.

Për nga data, shkresa e dytë mban datën 21 mayıs 1312 rumi/ 2 qershor 1896 dhe ka nënshkrimin e Muhjidin Beut dhe vulën e drejtorisë së shkollave (mektebi iptidai)–Ministrisë së Arsimit, dërguar zyrës së sekretarisë. Në këtë shkresë njoftohet se dokumentacioni rreth punës së shkollës i kalon sekretariatit në fjalë.

Kurse shkresa e fundit në këtë dosje i përket datës 7 haziran 1312/ 19 qershor 1896 dhe është përpiluar nga zyra e sekretarisë në adresë të Fletores Zyrtare për t’u publikuar vendimi.[12]

Kurse në një dosje tjetër të këtij arkivi, datë 7 temmuz 1313/ 19 korrik 1897, shohim transferimin e mësimdhënësit të shkollës fillore (mektebit) të fshatit Arbnesh, z. Idris, nëshkollën e fshatit Ostros i Vogël.[13]

  1. Shkolla fillore (ibtidai mektebi) në Ostros të Madh – Nahija e Krajës

Në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar dy dosje që bëjnë fjalë për shkollën fillore (mektebi ibtidai) të fshatit Ostros i Madh.[14]Duke qenëse të dyja dosjet janë të përafërta,kemi përzgjedhur vetëm dosjen e cila flet për kërkesën e mësuesit të shkollës së fshatit Ostros i Vogël, Ibrahim Hakiut, drejtuar kryeministrisë, datë 20 kanuni evvel 1321 / 2 janar 1906, me të cilën kërkon që t’i shlyhen pagat e mbetura pa u paguar.Në faqen tjetër të kësaj dosjeje ështëparaqitur edhe lista e pagave të disa muajve që kanë mbetur pa u shlyer (1300 rumi/1884 m. – rumi 1320/1905 m.) ndaj mësuesit në fjalë.[15]

Nëse i referohemi vitit dhe nëse mësuesi ka punuar nga ky vit në këtë fshat, atëherë i bjen që kjo shkollë të ketë qenë e hapur nga viti 1884-1885.

  1. Shkolla fillore (sibjan mektebi) në Bobosht – Nahija e Krajës

Rreth ekzistencës së shkollës fillore të fshatit Bobosht gjatë hulumtimit tonë në Arkivin Osman nuk kemi arritur që të identifikojmë ndonjë dokument.

Vetëm në ditarin e inspektorit të arsimit për Vilajetin e Shkodrës,Daut Boriçi, kemi arritur që të nxjerrim pak të dhëna rreth shkollës fillore në Bobosht. Në faqen 118 të fletores së punës, në osmanisht ka të shënuar kopjen e vendimit të Valiut të Shkodrës, bazuar në kërkesën e Inspektoriatit për Arsim të Vilajetit në lidhje me ndërtimin e shkollës së fshatit Bobosht. Më pas, më 23 teshrin-i sani 1288/ 5 dhjetor 1872 vendimi i kalon Sekretariatit për Financa, ku i kërkohet të regjistrohet. Duhet hulumtuar më tej rreth kësaj shkolle në të ardhmen.[16]

  1. Shkolla fillore (sibjan mektebi) në Brisk- Nahija e Krajës

Në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar vetëm një dosje që bën fjalë për shkollën e Briskut. Në dokumentin e datës 12 zilkade 1298  h./ 6 tetor 1881 m., ku tregohet për zhvendosjen e mësues Salihut nga shkolla fillore e lagjes Perash Nalt në shkollën e fshatit Brisk të Nahijes së Krajës dhe pason me rritjen e pagës së mësuesit. Shlyerja e pagave për mësuesin do t’i bëhet nga të ardhurat e thesarit të Vakëfit.[17]

Po kështu edhe në faqen 36 të ditarit të Daut Boriçit, datë 16 shtator 1290 rumi / 28 shtator 1874, jepet lista e disa shkollave fillore ku përfituan disa mësimdhënës. Ndër ta për rrethin e Krajës shohim ekzistencën e disa shkollave në Brisk, Skje-Zogaj, Ostros, Martiq.

  1. Shkolla fillore (mektebi) në Muriq të Poshtëm

Nga hulumtimet tona të bëra në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar tri dosje[18]që bëjnë fjalë për shkollën e Muriqit.

Nga një dosje e Arkivit, datë 10 Rexhep 1292  h./ 12 gusht 1875 m., në të cilin kërkohet sqarim nga Vilajeti i Manastirit për mospërputhjen e emrit të mësimdhënësit të shkollës fillore të Muriqit Poshtë, mësues Bajramit.[19]

Dokument tjetër i Arkivit Osman – Stamboll, datë 20 mart 1327, nga ku punimet e rregullimit të shkollës fillore në Muriq të mbetura pa përfunduar i kalojnë Sekretariatit për Financa për t’i përfunduar.[20]

Kurse sipas një dokumenti të gjetur në Arkivin e xhamisë së Muriqit, datë 27 Xhumadiye`l-ahar 1282/ 17 nëntor 1865, në të cilin ndodhet vula e Këshillit të Vilajetit të Shkodrës, vërtetohet ekzistenca e shkollës fillore në Muriq.[21] Vlentë përmendet se sipas pllakës origjinale të xhamisë së Muriqit Poshtë, kjo xhami është ndërtuar në vitin 1864.Ka shumë gjasa që menjëherë pas ndërtimit të xhamisë të jetë ndërtuar edhe shkolla fillore (mektebi).

Po kështu edhe nga ditari i inspektorit për Arsim të Vilajetit të Shkodrës,Daut Boriçi,shohim dokumentimin e ekzistencës së shkollës fillore (mektebit) në Muriqin e Poshtëm.

Në faqen 100 të këtij ditari shohim ekzistencën e shkollës fillore në Muriqin e Poshtëm me mësues Ibrahim Pukën, i cili për shkak të gabimit të bërë, nga data 4 gusht 1287 rumi/ 16 gusht 1971 m. shkarkohet nga kjo detyrë.

Në faqen 102 të këtij ditari shohim kërkesën e inspektorit për Arsim të Vilajetit të Shkodrës, Daut Boriçi, drejtuar Valiut të Shkodrës, datë 2 Teshrin-i evvel 1287 /14 tetor 1871, nga ku pasi çështja të shqyrtohet pranë Këshillit për Arsim të Vilajetit për emërimin e mësuesit të ri të shkollës së Muriqit të Poshtëm, Ali Kruja, në vend të ish-mësuesit Ibrahim Puka t’i kalojë Sekretariatit për Financa të Vilajetit.

Po kështu në këtë ditar është edhe kopja e vendimit, e datës 18 teshrin-i evvel 1287/ 30 tetor 1871, të nënshkruar nga guvernatori-valiu i Shkodrës, Mehmed Sadik, në drejtim të organeve vartëse për ta regjistruar atë në listën e nëpunësve dhe Sekretariatin e Financave, i cili bën fjalëpër fillimin e punës së mësuesit të ri Ali Kruja si mësimdhënës në shkollën fillore të Muriqit të Poshtëm.

Në faqen 113 të ditaritjanë paraqitur përmbledhtazi kopjet e vendimit të Inspektoriatit për Arsimin Fillor të Vilajetit drejtuar njëherit edhe Këshillit të Vilajetit për emërimin e mësuesit në fjalë, si dhe përcjellja e vendimit tek organete tjera vartëse deri te Sekretariati për Financa.

Edhe në faqen 180 të po këtij defteri shënohet se më 16 kanun-i evvel sene 1290 / 28 dhjetor 1874, mësimdhënësit të shkollës së Muriqit të Poshtëm i jepen rrogat për muajin korrik dhe gusht në shumën prej 390 kurushë.

Nga dokumentat e trajtuara mësipër nuk kemi ndonjë të tillë qëtrajtongjuhën nëtë cilën është zhvilluarmësimi apo lëndët mësimore në shkollat-mektebet e trevës së Krajës.

Për të hapur një shkëndijë, si shembull po japim një dosje të gjetur në këtë arkiv, datë 29 dhulhixhe 1310 / 14 korrik 1893, nga ku shohim futjen e Mevludit dhe të disa broshurave në gjuhën shqipe me shkronja arabe në kurrikulat e shkollave fillore (mektebe) në Vilajetin e Shkodrës.[22]

Kështu që rreth zbatimit të disa lëndëve dhe teksteve mësimore në gjuhën shqipe në hapësirën e vilajeteve shqiptare përpara Kongresit të Manastirit, hedh dritë edhe Arkivi Osman, por në të ardhmen duhen bërë hulumtime shteruese që kanë për subjekt studimi gjuhën shqipe dhe alfabetet e përdorur në shkolla.

Kumtesa është mbajtur në Konferencën e V Mbarëkombëtare të Arkivistikes,

në Tuz, më 5 qershor 2021

Shtojcë:

 

BIBLIOGRAFI

Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll (BOA)

MF.MKT, 361/33; 149/9; 578/30; 864/55; 149/77; 121/71; 207/1; 321/39; 361/33; 71/22; 909/58.

ML.EEM., 708/60; 834/37.

MF.İBT, 30/82; 6/125.

Y.PRK.AZJ, 24/84.

Arkivat e xhamive të Krajës

Xhamia e fshatit Skje

Xhamia e fshatit Muriq

Salname (vjetarë)

Salname-i Nezaret Maarif-i Umumiye (Vjetar i Ministrisë së Arsimit), Daru`l-Hilafeti`l-Aliyye (Istanbul), sene-viti 1317-1318.

Libra

BARDHI, Ali, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde (1870–1877 eğitim) Işkodra Vilayeti’nde Eğitim – Arsimi në Vilajetin e Shkodrës sipas ditarit të inspektorit të arsimit Daut Boriçi (1870-1877), (libëri pabotuar), Stamboll, 2009.

DIKBIYIK, Tuba Ruhengiz, Yahya Efendi kabristanı mezar Taşları,(temë magjistrature e pabotuar), Stamboll, 2009.

Artikuj

BARDHI, Ali, ˮShkolla fillore publike (mekteb-i iptidai) në Ostros të Vogël u ndërtua nga bashkëshortja e Tahir Pashë Krajanitˮ, botuar në dy numra në rev. “Koha Javore”, Podgoricë, 18 shkurt 2021, viti XX, numër 949, dhe 25 shkurt 2021, numër 950.

BARDHI, Ali, “Hafiz Ali Ulqinaku në dokumentat e Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll”. Simpoziumi shkencor me rastine 160-vjetorit të lindjes se Hafiz Ali Riza Ulqinakut, mbajtur më 25.04.2015, Ulqin, 2015.

 

[1]Hajrullah Koliqi, Historiku i arsimit në Krajë, Prishtinë, 1999; Hamid Alaj, Zhvillimi i shkollave dhe arsimit në trevën e Krajës dhe Shestanit, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2014; Hajrudin Muja, Kraja, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2018; Ali Gjeçbritaj, Shkolla në Krajë (1929-2019), 2020.

[2]Salname-i Nezaret Maarif-i Umumiye, Daru`l-Hilafeti`l-Aliyye (Istanbul), sene 1317, ff. 924-925, sene 1318, ff.1026-1027.

[3]BOA, MF.MKT, 361/33. Shih faksimilin nr.1.

[4]Nga këto pesë dosje katër prej tyre janë të kategorizuara në fondin MF.MKT, 149/9, 578/30, 864/55, 149/77, si edhe një tjetër në fondin MF.İBT, 30/82.

[5]Edhe vjetarët e Ministrisë së Arsimit si vit ndërtimi japin vitin 1308/1892.Shih Salname-i Nezaret Maarif-i Umumiye, Daru`l-Hilafeti`l-Aliyye (Istanbul), sene 1317, ff. 924-925, sene 1318, ff.1026-1027.

[6] BOA, MF.MKT, 149/9. Shih faksimilin nr.2.

[7] Aktualisht ky arkiv ruhet në shtëpinë e myteveliut të xhamisë së fshatit Skje, z. Bahri Lubanit. Gjatë hulumtimeve tona të bëra kemi identifikuar 219 faqe dokumentesh me interes, prej të cilave në osmanisht 195, ndërsa në shqip dhe në malazezisht 21.

[8]BOA, MF.MKT, 121/71.

[9]Edhe vjetarët e Ministrisë së Arsimit si vit ndërtimi japin vitin 1312/1896. ShihSalname-i Nezaret Maarif-i Umumiye, Daru`l-Hilafeti`l-Aliyye (IStanbul), sene 1317, ff. 924-925, sene 1318, ff.1026-1027.

[10] BOA, MF.MKT, 207/1;MF.MKT, 321/39;MF.MKT, 361/33.

[11]Në oborrin e xhamisë së Ostrosit të Vogël kemi identifikuar pllakën origjinale të saranxhës së ujit, në të cilën është shënuar se u ndërtua në vitin 1310 h/1892-1893 nga Hatixheja, e bija e Salih Marshiqit.Kurse varri i saj, me vit vdekjeje 1904 ndodhet nëVarrezen e Dergjahit të Jahja Efendiut – Beshiktash / Stamboll.Shih Tuba Ruhengiz Dikbiyik, Yahya Efendi kabristanı mezar Taşları, fq. 413.Për më gjerësisht shih: Ali Bardhi, ˮShkolla fillore publike (mekteb-i iptidai) në Ostros të Vogël u ndërtua nga bashkëshortja e Tahir Pashë Krajanitˮ, botuar në dy numra në rev. “Koha Javore”, Podgoricë, 18 shkurt 2021, viti XX, numër 949, dhe 25 shkurt 2021, numër 950.

[12]BOA, MF.MKT, 321/39. Shih faksimilin nr.3.

[13]BOA, MF.MKT, 361/33. Për më gjerësisht shih te tema “Shkolla fillore në Arbnesh”.

[14]BOA, MF.MKT, 909/58 dhe MF.MKT, 912/50.

[15]BOA, MF.MKT, 909/58.Shih faksimilin nr.4.

[16]Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde (1870–1877 eğitim) Işkodra Vilayeti’nde Eğitim – Arsimi në Vilajetin e Shkodrës sipas ditarit të inspektorit të arsimit Daut Boriçi (1870-1877), (temë magjistrature e pabotuar), Stamboll, 2009, f. 118.

[17] BOA, MF.MKT, 71/22. Shih faksimilin nr.5.

[18] Janë dy dosje në fondinML.EEM., 708/60 dhe 834/37, si edhe një në fondinMF.IBT, 6/125.

[19]BOA, MF.İBT, 6/125.shih në “shtojcë” faksimilin nr. 6”

[20]BOA, ML.EEM, 834/37.

[21]Aktualisht ky arkiv ruhet në shtëpinë e myteveliut të xhamisë së vjetër të fshatit Muriq Nalt, z. Hasan Bracaj. Gjatë hulumtimeve të bëra nga unë dhe juristi Hajrullah Hajdari nëvitin 2013 kemi identifikuar 87 dokumente, prej të cilave 34 janë në osmanisht, ndërsa të tjerat në malazezisht.

[22]BOA, Y.PRK.AZJ, 24/84.Për më gjerësisht shih Ali Bardhi,”Hafiz Ali Ulqinaku në dokumentat e Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll”.Simpoziumin shkencor me rastine 160 vjetorit të lindjes se Hafiz Ali Riza Ulqinakut të mbajtur me 25.04.2015, Ulqin, 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë: BAJRAKTARI FOLI NË CEREMONINË PËRMBYLLËSE
Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë: BAJRAKTARI FOLI NË CEREMONINË PËRMBYLLËSE

Kryeqiteti i Shqipërisë, Tirana, këtë vitë ishte “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”. Sot u mbajt ceremonia përmbyllëse në Pallatin e kongreseve në Tiranë ku ishin zyrtarët e lartë dhe diplomatë ndërkombëtar.

Qendra për Kulturë: TË PREMTËN MBRËMJE ME ELENA KOCAQI
Qendra për Kulturë: TË PREMTËN MBRËMJE ME ELENA KOCAQI

NP “Qendra për Kulturë – Ulqin” nis ciklin e mbrëmjeve me temë letrare, historike, kulturore, sociale… Këtë cikël e kemi titulluar ODA, meqë tubon dashamirë në një vend dhe u jep

Në fund të vitit: NË ULQIN LEDRI VULA, ALBAN SKENDERAJ, S.QETKOVIQ…
Në fund të vitit: NË ULQIN LEDRI VULA, ALBAN SKENDERAJ, S.QETKOVIQ…

Javët e fundit të këtij viti do t’i kalojmë në një atmosferë festive, me pije, ushqim, e mbi të gjitha muzikë të mire. Në skenën e “Sweet December” me 24 dhjetor do të ngjiten: Accoustic

CEDIS: EDHE TË ENJTEN PA RRYMË NJË PJESË E KOMUNËS SË ULQINIT
CEDIS: EDHE TË ENJTEN PA RRYMË NJË PJESË E KOMUNËS SË ULQINIT

Nga Sistemi malazez i elektroshpërndarjes (CEDIS) thanë për Portalin Ul-info se të enjten, më 8 dhjetor, në periudhën prej orës 8 deri në 15,00, pa energji elektrike do të jenë këto vendbanime: Pistulla,

Prezantohet programi Sweet December: MUND TË TËRHEQIM TURISTËT NGA I GJITHË RAJONI
Prezantohet programi Sweet December: MUND TË TËRHEQIM TURISTËT NGA I GJITHË RAJONI

“Besojmë se kemi eventin më të bukur që do ta ringjallë Ulqinin në këtë periudhë, me të cilin mund të tërheqim mysafirë nga i gjithë rajoni”, tha të mërkurën në prezantimin e programit të eventit “Sweet