Deklaratat e fundit të liderëve politik në Komunën e Ulqinit në lidhje më zgjedhjet e parakohshme, kanë hapur një debat të gjerë në opinionin publik të Komunës së Ulqinit dhe më gjerë . Si do të jetë e ardhmja e qytetit të Ulqinit, do të vazhdojmë të ngelim në nivelin e politikës së thashethemeve apo do jemi në gjendje të krijojmë një politik në shërbim të qytetarit. Tashmë është e qartë, subjektet politike presin mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal e cila do tregoj hapat e mëtejshëm për zgjedhje të parakohshme.
Tentativat e PDS për një rikomponim të pushtetit deri në zgjedhje të rregullta duken se nuk kanë qenë rezultative edhe pse kartat shpesh herë ishin në dorë të tyre. Partia Demokratike faktori kryesor në këto skema politike , të cilat nuk kanë të sosur, këto zgjedhje duket se i pret me padurim , edhe pse të paqartë pa asnjë deklaratë politike , për të na treguar shkaqet për çfarë kërkohen zgjedhjet, në mënyrë që të kuptohet se ku qëndron pakënaqësia e tyre. A ishin pjesë e qeverisjes për këto dy vjet apo ishin opozitë, çfarë nuk funksiononte , dhe cila ishte platforma e tyre politike , ekonomike, kulturore, për zhvillimin e qytetit apo ndoshta nuk e kishin një të tillë? Në anën tjetër Forca, e mbërthyer mbas punëve administrative duket sikur ka ngelur ne nivelin e deklaratave milionëshe dhe nuk ka bërë sa duhet në prezantimin e punës së deritanishme . Në rast të kundër propaganda si mjet i politikës nëse nuk demantohet është shumë më e rrezikshme sesa projektet për zhvillimit dhe stabilizim të një vendi. Po kështu që çdo punë administrative që të kurorëzohet me sukses duhet të ketë edhe miratimin e Kuvendit Komunal, i cili si pasojë e rrjedhave politike është jashtë funksionit.
Zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që janë të mirëpritura, por janë shndërruar në të domosdoshme për të zgjidhur ngërçin që ka kapur pushtetin lokal, por koha në të cilën do të mbahen nuk do jetë në favor të subjekteve politike shqiptare. PDS pret fituesin e zgjedhjeve në mënyrë komode nga përplasja që do bëhet nga subjektet politike shqiptare ku bajraku i lokalizmave shpesh të shoqëruara me deklarime abstrakte patriotike do mbajnë peng zhvillimin e qytetit të Ulqinit. Derisa diplomacia ndërkombëtare i kushton vëmendje potencialeve tona ekonomike dhe turistike, gjë që dëshmohet edhe nga vizita më e fundit e Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu , subjektet politike shqiptare vazhdojnë të tregojnë një papjekuri politike ku çdo herë egoja personale për pushtet është me e madhe se ajo për zhvillim dhe avancim të çështjes kombëtare të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Në fund do të citojë një thënie të urtë e cila thotë se: zanati i servilit është të sjell fitim por ditët i ka të numëruara.