“Duket se Rrodomi i Gjyshit duhet të ketë qenë tamam një kaq” – mendoi duke shikuar vendin e shkallitur për një ditë, atë tokë të tregtarëve me të huajën, tokë të askujën e të gjithkujën.
“Sikur të ishte ndonjëfarë toke, por vetëm rërë!” – u qesh në vete tharbët.
Gjyshi, në vitin e largët 1877, nuk ka pasur më shumë se dhjetë vjet, kur babai e pati marrë për herë të parë në Bunë, të zinin qefull. Ishte rritur – ashtu e shihte i ati – e vogël, i dobët, por i shkathtë. Më parë do t’i këputej dora se do ta lëshonte ërrmuqin e tratkës, ndërsa flluga me nguti rrethon masën e argjendit flakërues. Valon vjeshtuku si plumbi i shkrirë kur bie mbi te uji.
Iu kujtua Gjyshit, para shumë viteve, ai grumbull i vogël rëre, mu në grykën e Bunës në të derdhur në det, kur për të i ka treguar Dinko Franetoviqit nga Spliti, i cili mblidhte lëndën për të kaluarën e detarisë të kësaj ane. Kujtohej atij grumbulli prej rëre të ngritur në mes të ujit të gjallë, në mes të vendit ku takohej uji i borërave të shkrira në male me rrjedhat e ngrohta të Otrantos.
Me disa hapa djaloshare ka mundur ta vraponte rreth atë rrodom, duke mos menduar fare për atë trupin e anijes që nën të kalbej. I shihej direku. Deri vonë. Disa metra nën këmbët e tija, pushonte në rërën e madhe shkuna “Merito”, anije me të cilën mburrej pronari Antun Alegretti, nga Trogiri. Ai qe i pafuqishëm një nate të errët, me shi, në vjeshtën e vitit 1858, kapidani me përvojë Naporeli, i pafuqishëm dhe i pashpresë që t’i kundërvihej asaj bukurie të egërsuar në takimin e përjetshëm të lumit me detin. Kishte shkuar përgjithmonë me anijen e tij, këtu, larg shtëpisë së vet.
Rreth trupit të zi të “Meritos”, Buna me shpejtësi ka tubuar degë, ka paluar trungje, që i niste Drini i rrëmbyeshëm. E pastaj: rërë, rërë… që e zaptonte, mbërthente, s’e lente më kurrë të luante vendit…
Nuk kanë kaluar as njëzet vjet, ai djaloshi këmbëzbathur qëndronte në atë dine dhe e ndihmonte babanë për të fituar koren e bukës…
Ashtu është krijuar Ada, një ishull prej rëre në grykën e Bunës, e një forme prej trekëndëshi, që nga dy anët e lan lumi, ndërsa të tretën përpara, e shpërlajnë tallazet e detit…
Edhe atë, sikur Gjyshin, babai, një vjeshte të largët, e ka marrë me vete në peshkim. E ka çuar në Bunë që përjetë të mbetet i saji, që të gjitha rrugët, kah do që të shkonte, deri sa të rrojë, prapë të shpijnë tek ajo. Ka lundruar gjysmën e botës, por e gjitha ajo ka qenë një shëtitje e vogël, një pushim në mes të dy vizitave Bunës. Përfundimisht është gastuar këtu, ku edhe gjithmonë e ka pasur vendin, kur ka drejtuar Kerepin dhe me të e ka lidhur Adën me gtokën.
Viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, “vizionarëve dhe punëtorëve të mëdhenj” u ka rënë në mend që “ta valorizojnë” këtë bukuri të madhe, të re sa një shekull të njohur, të cilën Zoti e krijoi për ata që e duan natyrën e paprekur – natyralistët.
Të gjithë materialin për ndërtimin e shtëpizës në Adë, e ka sjellë me Kerepin.
… Edhe mysafirët e parë të çuditshëm, të jashtëzakonshëm, e pastaj… – edhe shumë të tjerë.
Bëri shaka Zhivko Nikoliqi në “Lepota poroka” në hesap të grave, atyre në punë në mes atyre lakuriqave, e edhe më fort shpotitej me burrat e tyre. Mirëpo puna s’ishte edhe shumë qesharake, deri në Novi-Sad dhe Suboticë janë kërkuar vajza dhe gra të reja, të cilat donin të punonin në një asi ambienti të ri dhe fare tjetër… Mirëpo kështu nuk zgjati shumë, shpejt u pa se ishin të nevojshëm miqtë dhe kushërinjtë që të merreshin në punë…
Ai e kapërcente Bunën me trap gjithë deri sa një hark i vrazhdë prej betoni se përzuri në pension.
Edhe sot, sa herë që lundron nën të, e shikon me sy plotë urrejtje dhe smirë, ashtu sikur një burrë i tradhtuar dashnorin e të shoqes.
Ka vazhduar të gjuajë peshk rreth “Rërës së Gjyshit”. Se sa hamet, levrekët, lojbat, i ka rrejtur grepi i tij, vetëm sikur ai të mundte, të dinte të tregonte. Po sa korba dhe barbunj, qefuj të argjendtë dhe shojza zalli ka ngatërruar rrjeta e tij!.. E, ku janë ato kohë, – shpesh i kujtohet – Ada ka dhënë me grushta në tokë e në ujë që e rrethon.
Para barakës së tij në breg zjarri nuk është fikur, dhe prej tij kurrë s’është hequr një fultere e zezë, e shtrembëruar. Kurrë asnjë fabrikë nuk do ta prodhojë edhe një të tillë i cili do të ushqente aq shumë miq! – për këtë është fare i sigurt.
Barakat e para në fqinjësi vetvetiu janë shndërruar në restorante, duke hedhur me ndot nëpër shevar fulteret e nxira, ngjashëm me të tijën. Ai kurrë s’ka ditur që dituritë e veta t’i bëjë kapital, – Ani, s’ ka gajle, – kundërshton – sigurisht që të gjitha s’janë pare!
Fqinjët e tjerë i kanë shitura barakat e veta dhe ata më s’janë! Në vendin e tyre, në tarracat e gjata, mbi ujë, ato ndërtesa që kanë mbirë vetvetiu, u bashkohen të reja, të pronarëve të rinj, të ardhur prej kahmosit…
Hapen troje të reja, punojnë cirkularët, prejnë kmesat, – hapen kuadratura, kuadratura…
… Askush s’thotë gjë, as nuk ndal, as nuk pyet, veç: Sa? Sa ban? Sa kushton?
… Kurrë mjaft hapësirë për njerëzit modernë të cilëve u pëlqejnë “banjat spanjolle”, i ndërtojnë mu aty, mbi Bunën e qetë, që ngushtohet, ndotet… – sa kalon koha…
E një ditë, deri sa shikonte si nxinte uji, aty ku takohet me karajel, kur lumi zu të rrjedhte mbrapshtë!
Një Bregbunas i ri, komshiu i tij i ri, e pyeti:
– Shikoj, komshija, tash disa ditë dhe nuk mundem të konstatoj kah shkon kjo Buna: andej apo këndej?!…
– Si kur do – kojsho – si sillet toka dhe në cilën anë anon. Ashtu edhe Buna derdhet!
– Komsho, ti, pa më duket, ka pak pa m’ zajebat?
– A, pa, ka pak!..