Nata e Kështjellave është manifestim kulturor-turistik që risjell në jetë monumentet e fortifikuara të trashëgimisë kulturore – kalatë dhe kështjellat – duke festuar rëndësinë e tyre historike dhe kulturore. Për herë të parë u mbajt në vitin 2022 në Kroaci, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, kjo ngjarje lindi si pjesë e projektit evropian FORTITUDE, dhe sot organizohet bashkërisht nga institucioni publik Kështjella e Kulturës Shibenik, qytetet Banja Luka, Karlovac dhe Trebinje, si dhe komunat e Tivarit dhe Ulqinit. Që nga viti 2018, Nata e Kështjellave është pjesë e manifestimit më të gjerë evropian “European Fortress Summer”, duke lidhur monumentet fortifikuese në gjithë Evropën me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare EFFORTS dhe FORTE CULTURA.
Manifestimi tradicionalisht zhvillohet në fillim të majit, dhe në vitin 2025 do të shënohet më 9 maj në 68 lokacione në dhjetë shtete evropiane. Programi përfshin aktivitete të ndryshme si ditë të dyerve të hapura, ligjërata, punëtori, ekspozita, koncerte dhe performanca vallëzimi, me theks të veçantë në promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe përgjegjësisë ekologjike. Në veçanti, iniciativa “Night of Fortresses Goes Green” integron ndërgjegjësimin mjedisor, duke inkurajuar vizitorët për pjesëmarrje aktive në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Ulqini: Përjeto Natën e Kështjellave në lokalitetin arkeologjik të Shasit
Ulqini, me trashëgiminë e tij të pasur historike, këtë vit 2025 është nikoqir i Natës së Kështjellave në lokalitetin arkeologjik mahnitës të Shasit. Ky lokalitet, i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe rëndësinë historike, ofron një sfond të veçantë për këtë manifestim, duke theksuar edhe më shumë rolin e Ulqinit si ruajtës i trashëgimisë kulturore.
Programi i Natës së Kështjellave në Ulqin 2025
Lokaliteti arkeologjik i Shasit
15:00 – 17:00
- Pikturimi i vlerave natyrore të lokalitetit: Të rinj të talentuar nga shkollat e Ulqinit do të marrin pjesë në pikturimin kreativ të bukurive natyrore dhe kulturore të lokalitetit të Shasit, duke evidentuar florën unike dhe aurën e tij historike.
- Prezantimi i trashëgimisë: Nxënësit do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë për historinë e pasur të lokalitetit arkeologjik të Shasit përmes një udhërrëfimi profesional.
17:30 – 18:30
- Ekspozitë e punimeve artistike të të rinjve: Ekspozita do të paraqesë punimet e artistëve të rinj nga Ulqini, të krijuara gjatë ditës, duke festuar kreativitetin dhe lidhjen me trashëgiminë lokale.
18:30 – 19:00
- Degustim i produkteve lokale: Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë specialitete tradicionale, duke promovuar pasurinë kulturore dhe gastronomike të zonës.
19:00 – Hapja solemne
- Koncert i muzikës lokale dhe valleve tradicionale: Mbrëmja do të përmbyllet me hapjen solemne dhe me performanca të muzikantëve vendas dhe valleve tradicionale, duke ofruar një përjetim të mbushur me shpirtin e Ulqinit dhe Anën e Malit.
Rëndësia e manifestimit në Ulqin
Këtë vit, Nata e Kështjellave në Ulqin përqendrohet në lokalitetin arkeologjik të Shasit, i cili nuk është vetëm një perlë historike, por edhe një hapësirë që bashkon natyrën, kulturën dhe komunitetin. Përmes angazhimit të të rinjve të talentuar, promovimit të produkteve vendore dhe përfshirjes së praktikave të qëndrueshme, manifestimi nënvizon rëndësinë e ruajtjes së këtij vendi unik. Kalaja e vjetër e Ulqinit, e cila në vitet e kaluara ka qenë mikpritëse e ngjarjeve si ekspozitat artistike në Sheshin e Servantesit dhe në Pallata Venezia, tani zgjeron pjesëmarrjen e saj në këtë lokalitet të rëndësishëm arkeologjik, duke pasuruar më tej ofertën turistike dhe kulturore të qytetit.
Për më shumë informacione rreth programit, vizitoni faqen zyrtare të manifestimit: www.nightoffortresses.org
Manifestimi “Nata e Kështjelleva” financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit GIFTSnet dhe programit Interreg Kroaci – BiH – Mali i Zi 2021–2027.
Ky publikim është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nga programi Interreg IPA Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi 2021-2027. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Komunës së Ulqinit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.