Krahina e qyteteve Ulqin dhe Tivar është një mikrokozmos i llojit të vet me një eksperiencë mijëvjeçare të diversitetit shoqëror, kulturor, etnik, fetar dhe gjuhësor. Sot, ajo është një komunitet pluralist në të cilin bashkekzistojnë popujt (Malazezët, Shqiptarët, Serbët, Boshnjakët/Muslimanët, Romët dhe Kroatët), fliten shumë gjuhë dhe ku janë të përfaqësuara të gjitha religjionet monoteiste.
Të jetosh në një hapësirë të tillë do të thotë të ndjesh lëvizjen e cila shkon krah për krah me historinë. Qëndrimi dhe zhvillimi është i mundur vetëm fal mobilitetit, vitalitetit, dinamizmit dhe hapjes së madhe të traditës.
Edhe pse shoqëritë pranë kufirit janë më të prierë nga ndarjet dhe konfliktet, këtu u tregua se, edhe kur përreth shpërthenin luftërat, ky ishte rajon i ndërveprimit dhe i shkëmbimit. Tradita ndërkulturore, kontaktet, miqësitë, kumbarësitë, vëllazërimet dhe njohjet e përditshme ishin më të forta se fuqia e urrejtjes dhe e gjaknxehtësisë. Madje edhe atëherë kur kjo s’i pëlqente shumë pushteteve të ndryshme civile dhe manipuluesve me ndjenjat religjioze dhe njerëzore.
Natyrisht që gjatë historisë ekzistonte rivaliteti fetar dhe etnik, asimilimi, beteja për influencë dhe për shpirtrat e njerëzve. Por, edhe ato që ndryshuan identitetet e tyre, s’e braktisën dhe s’e harruan tërësisht trashëgiminë e identiteteve të kaluara. “Nëse ndryshuam fenë, gjakun se ndryshuam. Zoti është një, vetëm i lutemi në mënyra të ndryshme”, thoshin Mërrkotasit fisnik.
Identiteti, para së gjithash, është lidhja shoqërore e individit dhe kolektivit, respektivisht komunitetit. Në këtë komunitet bëjnë pjesë vëllezërit, komshinjtë, miqtë tanë, fshati fqinj. Prandaj, identiteti këtu ishte shumështresor dhe për këtë arsye njerëzit nuk ishin fanatikë fetar.
Si të tillë, ato ishin më tepër të lidhur me tokën dhe rrethinën sesa me kombin dhe fenë. Historikisht, Ulqinakët dhe Tivarasit krenoheshin më shumë me identitetin e vet urban sesa me atë etnik, dhe kjo është arsyeja pse gjatë historisë mbrojtën me fanatizëm të drejtat e veta komunale.
Etika e bashkëpërgjegjësisë, etika e bashkëjetesës së kulturave dhe feve të ndryshme, ishte dhe është fuqia vitale e këtyre komuniteteve dhe qyteteve. Kjo do të thotë pranimin e të gjithë përkatësive tona, duke mos konsideruar se ato e përjashtojnë njëra tjetrën. Gjithmonë duke pasur parasysh se demokracia dhe liria (e liria, siç vëren de Tokvil-i, është gjendje e natyrshme e shoqërive të vogla), nënkuptojnë tolerancën.
Vullneti dhe vendimi i tyre i lirë ishte që hapësirën e vet, qytetet e veta dhe jetët e veta të brishta në këtë botë kalimtare t’i mbrojnë nga fuqitë e veta destruktive duke përzgjedhur solidaritetin dhe bashkëpunimin si elemente më të mira kohezive të komunitetit. Historiani i njohur Millan Shufllaj vëren se në këtë krahinë në mesjetë u realizua simbioza shqiptaro – sllave, që më vonë ndikojë në zbutjen e diferencave etnike.
Mbi këto themele, duke ruajtur unitetin, barazinë dhe drejtësinë për të gjithë banorët, qytetet mund të mbijetonin. Pavarësisht kush ishin dhe nga vinin, cilës fe, racë ose çfarë ngjyre lëkure kishin, apo çfarë statusi social mbanin qytetarët e tyre.
(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të ndërkulturalizmit në Ulqin dhe Tivar, të cilin e financon Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave, nga Fondi për nxitjen e pluralizmit mediatik dhe shumëllojshmërisë së mediave.)