Me 18 tetor në Beograd, në hapësirat e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, është dhënë Indeksi i artë mjekëve të cilët kanë regjistruar mjekësinë në vitin 1964.
Atë vit janë regjistruar 450 studenta nga të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë, të gjithë të shkëlqyer. Ligjeratat kanë qenë të përbashkëta, kurse në ushtrime praktike na kanë ndarë në grupe sipas alfabetit. Më kujtohen vetëm disa kolegë prej grupit tim. Me disa jam takuar,me disa asnjëherë. Prej Malit të Zi në vitin 1964 janë regjistruar në Fakultetin e mjekësisë katër studenta: Millovan Jankoviq, Zharko Martinoviq , Anto Martinoviq dhe Gani Karamanaga.
Më kujtohet se në vitin e parë kemi banuar në Qytetin e studentave (Studentski grad) në Beogradin e Ri, në pavijonin 2,dhoma 709, parteri i lartë. Kemi qenë 5 studenta në një dhomë, të gjithë fillestar: Millovan Jankoviq dhe Zharko Martinoviq (Cetinë), Stanko Obradoviq (Bosanska Krupa), Iniq Vukadin (Hercegovina) dhe Gani Karamanaga.
Me mbështetjen e Fakultetit të Mjekësisë, organizatori kryesor i këtij jubileji ka qenë prof.dr Zharko Martinoviq i cili është duke përgatitur një libër të posaçme lidhur me këtë ngjarje.
Para orës 12, përpara Dekanatit kanë filluar të tubohen mjekët e kësaj gjenerate. Disa nuk i kam parë asnjëherë gjatë kësaj kohe. Ka pasur momente me shumë emocione, kujtime, por edhe momente të vështira, për arsye se disa prej shokëve tonë kishin ndërruar jetë.
Pas përshëndetjeve dhe njohtimit me disa karakteristika të gjeneratës 1964, akademiku prof. d rNebojsha Laliq, dekani i Fakultetit të mjeksësisë i dorëzoj të gjithë të pranishmëve indeksin e artë.
Prej gjeneratës tonë ka pasur shumë profesora të Universitetit, shkencëtarë, primariusë, udhëheqës të organizatave shëndetësore publike.









