Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe ato të Antikontrabandës, në Doganën e Durrësit, kanë bllokuar në portin e Durrësit dy anije që vinin nga Mali i Zi të ngarkuara me skrap.
Policia bashkë me Inspektorët e mjedisit kanë bllokuar anijet sepse ishte lajmëruar që skrapi do të shkrihej në portin e Durrësit, ashtu siç është vepruar edhe më parë.
Por, Inspektoriati i Mjedisit ka vendosur të ndërhyjë dhe të bllokojë shkrirjen e skrapit, sepse sipas tyre, Porti i Durrësit nuk ka infrastrukturën e nevojshme, përveçse bllokojnë ankorimin e anijeve të tjera, anijet me skrap kanë edhe materiale të lëngshme që sjellin ndotjen e mjedisit.
Shoqata e ambientalistëve, e cila është instaluar në port proteston për shkrirjen e skrapit sepse sipas tyre përveçse sjell ndotjen e ambientit ekziston rreziku edhe për elemente radioaktiviteti.
Kreu i ambientalistëve, Sazan Guri u shpreh për mikrofonin e News24, se: “Shkrirja e skrapit ka rrezikshmëri të lartë, ka elemente radioaktiviteti. Në asnjë vend të botës nuk lejohet që skrapi të hyjë nga porti, dhe të shkrihet në port, e me pas të shpërndarhet. As në doganë nuk bëhet kontrolli i duhur, sepse dogana i trajton dhe i kalon si frigorifer”.
Si rrjedhojë, Ministria e Mjedisit dërgoi sot në portin e Durrësit, inspektorët e Mjedisit, nga ku do kryejnë inspektime ndaj ngarkesës me skrap të anijeve dhe i mbetet ekspertëve të thonë fjalën e fundit nëse ka apo jo elemente radioaktiviteti.
Policia po punon për identifikimin e pronarëve të anijeve dhe subjektit të cilit i përkasin.
Në lidhje me situatën e krijuar në Port, Ministria e Brendshme ka pezulluar paraprakisht Zv/drejtorin e Policisë së Durrësit, Artan Hasanaj.
Ministria sqaron se pezullimi u krye për vonesë shërbimesh dhe se zv/drejtori do kalojë për vlerësim në Drejtorinë e Disiplinës. (BalkanWeb)