Të mërkurën, më 12.11.2014, me fillim në ora 18, në sallën e teatrit “Aleksandër Mojsiu” në Durrës do të mbahet koncerti recital i sopranos Ulqinake Gjylie Pelingu.
Koncerti, i cili do të udhëhiqet nga artistja e njohur shqiptare Manjolla Nallbani, do të përcillet nga orkestra e harqeve “Aleksandër Mojsiu”, me dirigjent Petrika Afezolli, përndryshe dekan i Akademisë së arteve në Tiranë.
Repertori që do të interpretohet atë natë do të jetë i huaj dhe shqiptar, gjegjësisht veprat e Mozartit, Catalanit, Shubertit, Di Chiara, Lehar, Çesk Zadeja dhe Prenk Jakova.
Pas koncerteve në Ulqin, Shkodër dhe Tiranë, ky do të jetë koncerti i pestë recital i Gjylie Pelingut.
Koncerti do të organizohet nga Shoqata e Ulqinakëve të Durrësit në bashkëpunim me Pallatin e kulturës në Durrës.