Në Festivalin e 46 të Teatrove në Ferizaj çmimin “Aktori më i mirë për rolin episodik” e fitoi Simon Shkreli, me shfaqjen “Kandili i Argjandit”, shkruar nga Martin Camaj dhe në regji të Fatbardh Smajes.
Përndryshe, kjo shfaqje morri edhe katër çmime të tjera, ku në mes të tjerash “Aktorja më e mirë femër për rol dytësor” u shpall bashkëshortja e Simonit, Eliona Shkreli.
Simon Shkreli lindi dhe u rrit në Ulqin. Mbasi mbaron studimet për aktor në Universitetin e Prishtinës, në vitin 2006 shpërngulet në Shkodër ku punon si aktor në Teatrin “Migjeni” dhe gazetar në disa media në Shqipëri, siç janë: TV1-Channel, ABC NEWS dhe TV Klan. Gjatë kësaj periudhe ka luajtur në disa shfaqje të cilat në festivale të ndryshme kanë marrë çmime dhe vlerësime maksimale nga juritë dhe njohësit e teatrit. Shfaqja e tij e fundit është “Nënë Tereza kur ishte Gonxhe”, nga Bashkim Kozeli dhe në regji të Andi Begollit. Kjo komedi vjen si bashkëpunim i Teatrit “Migjeni” dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, në kuadër të festivalit teatror kushtuar Çajupit.