Organizata joqeveritare „Ora“ do të organizojë më 29-31 maj 2015 edicionin e 12-të të manifestimit „Pranvera në Anë të Malit“.
Në kuadër të ciklit „Ana e Malit nëpër vite“, natën e parë të manifesimit do të bëhet përurimi i librit „Banesa popullore në Anë të Malit“, botim i ri i Shoqatës „Ora“, si dhe do të hapet ekspozita me fotografi të shtëpive të vjetra të Anës së Malit.
Ndërkaq të dielën, ditën qendrore të manifestimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin ndër të tjera programin kulturor-artistik nga shoqëritë kulturore artistike „Tradita“, „Ana e Malit“ dhe „Buzuku“, me të cilin e prezantuan denjësisht në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, ku arritën sukses të madh duke zënë vendin e tretë si ansambël.
Manifestimi tradicional „Pranvera në Anë të Malit“ është projekti kryesor i Shoqatës „Ora“. Ky manifestim me karakter kulturor-turistik ka për qëllim ruajtjen e vlerave tradicionale dhe promovimin e turizmit të Anës së Malit. Edicioni i tij i parë është mbajtur në vitin 2004 dhe që prej atëherë zhvillohet për çdo vit. I ideuar në fillim si një veprimtari ku para së gjithash do të bashkohen qytetarët e trevës së Anës së Malit dhe të trevave të tjera, „Pranvera në Anë të Malit“ është shndërruar tashmë në një veprimtari prestigjioze, ku kanë marrë pjesë shumë artistë shqiptarë me famë, duke i tejkaluar kufijtë e një manifestimi me karakter lokal.
Vendosja e Shasit në qendër të këtij manifestimi e ka rikthyer vëmendjen te ky qytet i lashtë duke e promovuar atë si një qendër të zhvillimit të kulturës dhe turizmit historik e kulturor.