“Kalaja e Ulqinit është pjesë e kornizës e cila është e rëndësishme në nivelin evropian”, deklaroi arkitekti i njohur francez Benzhamin Muton.
Ai dhe dy kolegët e tij të rinj, Etjan Bartelemi dhe Kristofer Rodolos, kanë prezantuar sot në Pallatin “Venecia” Studimin e trashëgimisë historike dhe propozimet për restaurimin dhe rregullimin e Kalasë.
Qëllimi i këtij dokumenti është, siç thanë, të ndihmojë rekonstruktimin e kësaj hapësire unike, si dhe të valorizohet në mënyrë sa më cilësore për nevoja kulturore dhe ekonomike.
Arkitektët francez, të cilët këtë studim e punuan në bashkëpunim me komunën e Ulqinit dhe Fondacionin “Petroviq Njegosh”, kanë theksuar se tentuan që me zgjidhjet e veta ti kthejnë Kalasë lidhshmërinë e saj me det.
Kanë propozuar që pranë administratës lokale të formohet zyra për arkitekturë, e cila veçanërisht do të merrej me Qytetin e vjetër.
Princi Nikolla II Petroviq ka thënë se ka projekte në Kala të cilët mund të realizohen në afat të shkurtër.
Në prezantim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ministrisë së kulturës, ambasadorët e Francës, Turqisë dhe Austrisë, deputeti i Forcës Genci Nimanbegu, drejtuesit e OJQ-ve, ndërsa në emër të komunës së Ulqinit mysafirët i përshëndeti nënkryetari Ardian Mavriq.