Edona Hoxha, nxënëse e klasës së nëntë fillore pranë shkollës “Marshall Tito”, triumfoi në finalen e Konkursit ndërkombëtar për lexim në gjuhen gjermane, që u mbajt më 11 nëntor në Zadër të Kroacisë. Ky konkurs organizohet nga Agjencia për Shkollat Gjermane nëpër botë, e cila funksionon në varësi të Zyrës për Administratë në Republikën Federale të Gjermanisë (ZfA), si edhe nga Komiteti i autorizuar për dhënien e çertifikatave të njohjes së gjuhës gjermane, pran Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës (DSD).
Në këtë konkurs garuan 10 nxënës nga vende të ndryshme të Evropës juglindore, të cilët kanë fituar çmimet e para në konkurset kombëtare për lexim në gjuhën gjermane, si gjuhë të parë dhe të dytë të huaj.
Nëse i referohemi informacioneve zyrtare të publikuara nga Ambasada Gjermane në Mal të Zi, dy gjimnazet, “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin dhe “Panto Malishiq” në Berane, si edhe tre shkollat fillore, “Marshall Tito” në Ulqin dhe “Vuk Karaxhiq” e “Vukashin Radosinoviq” në Berane, ofrojnë mbështetje intensive gjatë procesit të përvetësimit të gjuhës gjermane nga nxënësit, nëpërmejt partneritetit me ZfA. Nëpërmjet kësaj mbështjeje, ata kanë për qëllim lehtësimin e procedurave për ndjekjen e shkollimit të mesëm dhe të lartë të nxënësve të dalluar në Gjermani. Marrja e diplomës DSD, niveli i dytë, lejon pranimin në Universitetet gjermane, pa ndjekur semestrin përgatitor, i cili është i domosdoshëm për aftësimin dhe formimin gjuhësor, para fillimit të programit të rregullt studimor.
Pas kthimit nga Kroacia, Edona shprehet për Portal UL-Info se është shumë e kënaqur me arritjen e saj dhe e lumtur që i ka siguruar Malit të Zi për here të parë njërin prej dy çmimeve kryesore në këtë kompeticion. Ajo nënvizon se dëshira e saj është që t`i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ofrojnë Ambasadat e huaja në Mal të Zi, nëpërmjet programeve të shkëmbimit dhe atyre studimore, për të marrë vendimin më të mirë rreth shkollimit të saj të mëtejshëm, pa e mohuar që Gjermania mund të jetë një prej vendeve ku ajo synon të transferohet për këtë qëllim. Me këtë rast ajo falenderoi organizatorët dhe profesoren e gjuhës gjermane, znj. Irma Qetkoviq, e cila e ka ndjekur gjatë këtij konkursi.