Ditën e shtunë përfundoi edicionin i XIX i Festivalit të mirënjohur “NËN ULLIRIN E VJETËR”, të cilin e organizon Qendra e kulturës së Tivarit nën patronatin e kësaj komune, të përkrahur edhe nga Ministria e kulturës së Malit të Zi. Merrnin pjesë poetë nga Mali i Zi,Serbia dhe vendet e rajonit.
Laureate e edicionit të sivjetmë u shpall shkrimtarja e mirënjohur nga Hercegnovi,Bosilka Pushiq. Në këtë mes ishte edhe poeti e shkrimtari nga Kraja që banon në Ulqin, Ibrahim Berjashi.
Karvani i shkrimtarëve ditën e premte vizitoi shkollat fillore të Tivarit, duke vendosur një komunikim shumë miqësor dhe letrar mes nxënësve dhe shkrimtarëve. Pa mëdyshje,mirëpritja më e spikatur ishte në Shkollën fillore në Mërkot. Me këtë rast poeti Ibrahim Berjashi me poezitë shqip dedikuar fëmijëve dhe interpretimin e vargjeve bëri që nxënësit ta duartroksain gjatë. Derisa në fillim nxënësve u uroi në gjuhën shqipe mirëdita, si dhe në gjuhën mësimore të nxënësve, atë malazeze,prezantimin ai e mbylli me urimin ditën e mirë, pa asnjë paragjykim,por duke e përcjellë hareshëm edhe me respekt po në këtë gjuhë. “Siç shihet, arti poetik bashkon njerëzit e të gjitha moshave, të të gjitha kulturave”, u shpreh duke e mbyllur këtë takim moderatori, poeti i mirënjohur nga Berana, Dragomir Qullafiq.