Panairi ndërkombëtar i ekonomisë, bujqësisë, ushqimit dhe turizmit “Ditët e qershisë 2014” është hapur sot në Mostar, e do të mbahet deri më 30 maj. Ditët e sivjetmë të qershisë, të 12 me radhë, kanë mbledhur mbi 280 ekspozues nga Serbia, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Shqipëria dhe BdheH.
Panairin e shpalli të hapur ministri federal i zhvillimit dhe sipërmarrjes Sanjin Halimoviq i cili i uroi organizatorët dhe iu dëshiroi ekspozuesve sukses në ditët e panairit.
Drejtori i Panairit Salem Bubalo iu dëshiroi mirëseardhje ekspozuesve, duke e vlerësuar këtë manifestim si shumë të rëndësishëm, i cili këtë vit ka mbledhur numrin më të madh të ekspozuesve dhe i cili, siç tha ai, tash 12 vite tenton të krijojë vlerë të re në këto hapësira.
Të pranishmëve iu është drejtuar dhe kryetari i komunës së Mostarit Lubo Beshliq i cili i përgëzoi organizatorët dhe të gjithë ato që ndihmuan këtë panair, si dhe iu dëshiroi ekspozuesve promovim të suksesshëm të prodhimeve të veta.
Gjatë solemnitetit të hapjes së panairit, janë shpërndarë dhe çmimet “Qershia e artë”, ndërsa kryetari i Mostarit dhe përfaqësuesi i komunës së Ulqinit Safet Beci kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe sportiv të komunës së Mostarit dhe asaj të Ulqinit.