Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, organizuan Panairin mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor.
Panairi u hap sot në Tiranë dhe do të zgjasë deri të dielën, më 24 prill.
Në kuadër të këtij panairi dhe në mesin e promovime të botimeve akademike shkencore dhe universitare, në kuadër të “Art Clubit”, do të prezantohen edhe dy autorë nga Ulqini: Allmir Çausheviq dhe Nexhad Avdiu.
Allmir Çausheviq vjen me librin e tij “Pakica shqiptare në Mal të Zi midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”, përkatësisht studimin mbi pozitën e Shqiptarëve dhe veprimtarinë politike të partive kombëtare Shqiptare në Mal të Zi në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2016. Prezantimi do të drejtohet nga Ismet Kallaba, ndërsa botimin do ta paraqesë Arben Çejku.
Të njëjtën ditë, Nexhad Avdiu do të paraqesë veprën e tij “Zhvillimi i turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi mundësi e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe rajonal”. Prezantimi përsëri do të drejtohet nga Ismet Kallaba, ndërsa botimin do ta paraqesë Dr. Shkëlqim Sirika.