Si vazhdimësi e ekspozitës itinerante të fotografive Marubi “Reflecting Our Traditions, Reflecting Ourselves”, në kuadër të Projektit “Marubi: Një Model Bashkëpunimi për promovimin e turizmit mes Shkodres dhe Ulqinit”, finansuar nga Bashkimi Evropian, mbrëmë, me datën 27.05.2014, në Podgoricë, në sallën e Qendrës Informative të Bashkimit Evropian u mbajt ekspozita përmbyllëse “Reflecting Our Traditions, Reflecing Ourselves”.Fjalimin hyrës e mbajti nënkryetari i Komunës së Ulqinit Ardijan Mavriq, i cili i uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, në emër të Komunës, dhe në emër të Kryetarit të Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka.
Në vazhdim, ai ceku rolin dhe rëndësinë e projektit “Marubi”, në prezantimin e vlerave kulturore, etnografike dhe traditës, si asaj Shqiptare, dhe asaj Malazeze jashtë kufijve të këtyre dy shteteve, më precizisht, në Bruksel, Triestë, Ankara, Varshavë dhe Zhenevë.
Pas kësaj, në emër të Komunës së Ulqinit, përfaqësueses të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Donata von Siegsfeld, njëkohësisht edhe task menaxhere në këtë projekt, për përkrahjen që i dha Ekipit Implementues të Projektit Marubi, nga nënkryetari i Komunës së Ulqinit Ardijan Mavriq iu dorëzua fletëfalenderim si shenjë mirënjohje për kontributin e saj.
Pas marrjes së fletëfalenderimit, Zj. Donata von Siegsfeld, në fjalimin e saj shprehu falenderimin në emër të Delegacionit Evropian, dhe i uroi mirëseardhje të gjithëve në hapjen e ekspozitës që mbahet në kuadër të projektit “Marubi”.
Ajo gjatë fjalimit rikujtoi fillimin e projektit, i cili ishte plot optimizëm dhe pritshmëri të madhe, ekipi i projektit e definoi një plan të detajuar të veprimit i cili bazohet në bashkëpunim dhe partneritet në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, kryesisht komunës së Ulqinit dhe Shkodrës.
“Falë këtij projekti, tani jemi të njoftuar me trashëgimië e fotografëve Marubi dhe bukurive që këto dy komuna posedojnë.”
Ajo uroi ekipin e projektit dhe partnerët për implementim të suksesshëm, dhe përfundoi me këto fjalë: “Po shfrytëzoj rastin ti ftoj të gjithë akterët publik malazias si dhe administratat lokale, gjithashtu edhe entitetet private, që të vazhdojnë të angazhohen në aktivitete ndërkufitare me qëllim të zhvillimit të balancuar të rajoneve më pak të zhvilluara kufitare.”
Në mes të vizitorëve të shumtë, me ftesën e nënkryetarit të Komunës Ardijan Mavriq, në ekspozitë ishte prezent edhe ambasadori Shqiptar në Mal të Zi, ambasadori Turk në Mal të Zi, përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe peronazhe tjerë të kulturës dhe artit.
Ekspozita do jetë e hapur deri me datën 06.06.2014