Në Shkodër: MUZEU I KUJTESËS

Në qytetin e Shkodrës është drejt përfundimit ndërtimi i muzeut të kujtesës, një muze ky i veçantë në Shqipëri dhe që synon të sjellë dëshmi nga historia e dhimbshme e persekucionit komunist.

Muzeu i krimeve të diktaturës që po ndërtohet në Shkodër, atje ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist, ish dega e Punëve të Brendshme, pritet të inaugorohet së shpejti. Për ndërtimin e muzeut të krimeve të diktaturës, sot pronë e Provincës Françeskane, arkitektët dhe kuratorët kanë studiuar edhe muze të ngjashëm të ndërtuar kryesisht në vendet e Europës Lindore. Punimet janë kryer pothaujse tërsisht, mbeten vetëm disa vogëlsira, ku sipas bashkëkohësve, është ruajtur me përpikmëri e gjithë struktura e mëparshme.

Muzeu i kujtesës historike është një projekt dhe financim i përbashkët me një fond prej 57 milionë lekësh i Bashkisë së Shkodrës dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Muzeu do të ketë një galeri hyrëse prej betoni, rreth 50 m të gjatë, prej së cilës mbërrin tek zona e ish-burgut, me 40 birucat e tmerrshme që dikur shërbenin për izolimin e të burgosurve. Pjesë e muzeut janë edhe mjedise të tjera të jashtme, sikurse oborri i ajrimit, anekse të tjera plotësuese, si dhe paisje, shkrime dhe të dhëna origjinale të asaj kohe, të cituara nga të burgosur politik. Ambjentet e ish-burgut dhe selisë së sigurimit që ndodhet në të majtë të ndërtesës, janë ruajtur të paprekura. Edhe ndërhyrjet që janë bërë, janë të gjitha në funksion të idesë së hedhur nga arkitekti Viktor Dhimgjini, i cili është marrë prej afro tre vitesh më hartimin e projektit të muzeut të vuajtjeve nga diktatura komuniste. Kalimi nga njëri ambjent në tjetrin bëhet nga elementë që të kujtojnë prangat, zinxhirët, apo edhe sende që kanë shërbyer si pjesë e torturave. Janë ruajtur të paprekura gjithashtu edhe shënimet e bëra nga vetë të burgosurit.

 

Përkujtesë e të Përndjekurve

Në këtë burg që mbijetoi për më shumë se 40 vjet, tashmë të kthyer në muze, kanë vuajtur shumë intelektualë shkodranë. Gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjërë, mes tyre ishin dhe klerikët At Zef Pëllumbi, Imzot Errnest Çoba, At Benardin Palaj, përfaqësues të tjerë të besimit klerik, të burgosur myslimanë si Myfit Qamil Bushati, Ethem Rrem Mehmeti, Ragip Nut Lohja etj, ortodoksë, qytetarë të njohur nga Shkodra e më gjerë.

Abedin Vrioni që kaloi 11 vite burgim, akuzuar për tentativë arratisjeje, u rikthy pas gati 40 vitesh në mjediset e burgut të Shkodrës ku aty kaloi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij: “ Sot është hera e parë që vij këtu e i shoh edhe njëherë këto ambjente aq të dhimbshme dhe aq torturuese që ishin në atë kohë në këtë burg famëkeq. Kjo është një memorie jo vetëm për ato që e vuajtën dënimin, por për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që janë“.

Një tjetër bashkëvuajtës i dënuar me 20 vjet burg për tentativë arratisjeje, sot Kryetari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë në Shkodër, Zenel Drangu tregon për torturat ç’njerzore që bëheshin aty: “ Në njërën anë të burgut të Shkodrës ishte dhe hetuesia ku ushtrohej dhunë e vazhdueshme ndaj të burgosurve. Madje për të burgosur të veçantë torturat bëheshin haptazi në këtë burg, në sy të të gjithë të burgosurve. Prandaj muzeu që po ndërtohet në Shkodër, – thekson Drangu, e përshkruan shumë qartë periudhën e dhimbshme të atyre që vuajtën dënimin në qelitë dhe birucat e tij“.

 

Pasurimi i muzeut me objekte

Për të plotësuar ambjentet me aksesorë të tjerë të nevojshëm dhe me objekte sa më originale të asaj kohe, të cilat aktualisht i mungojnë muzeut, Bashkia e Shkodrës u bën thirrje të gjithë qytetarëve shkodranë të cilët kanë vuajtur nëpër qelitë e këtij burgu, por edhe në burgjet e tjera komuniste, si dhe familjarëve e të afërmëve të tyre që kanë dokumentacion, ta pasurojnë këtë muze, që dëshmon qartë vuajtjet dhe torturat gjysmëshekullore të qindra kundërshtarëve politikë të regjimit totalitar të kohës. Drejtoresha e Urbanistikës pranë Bashkisë Shkodër Aida Shllaku thotë për Deutsche Wellen se: “Deri tani janë mbledhur mjaft materiale e dëshmi penaliteti që tregojnë se si është zhvilluar gjyqi në këtë burg, gjithashtu janë grumbulluar edhe letra të ndryshme burgu dhe korrespondenca dhe gjëra të tjera që janë të ekspozuara në muze. Sipas Shllakut të gjitha këto materiale janë fotokopjuar nga origjinali që posedojnë personat e prekur nga ky sistem dhe do të ekspozohen në ambjente të veçanta gjatë ditëve në vijim. Prandaj është e rëndësishme që kushdo që disponon materiale të ndryshme shkrimi apo paisje të tjera të njerëzve të tyre të dashur që kanë vuajtur nëpër burgje, duhet të ekspozohen, pasi ato i përkasin jo vetëm familjes së tyre, por dhe historisë së qytetit të Shkodrës“, përfundon drejtoresha Shllaku.

 

Dhimbje shpirtërore dhe fizike

Qyteti i Shkodrës rreth viteve ‘50-të, i cili asokohe kishte vetëm 40 mijë banorë, kishte 26 qeli burgu. Shkodra si qark ka 601 të pushkatuar nga regjimi komunist,136 të vdekur ndër burgje, 2846 të burgosur politik dhe 1924 të internuar politikë. Një fakt i tillë tregon tmerrin e përjetuar në atë kohë dhe krijimi i muzeut të krimeve të komunizmit në këtë qytet do të jetë për qytetarët një tjetër mënyrë për të kthyer dinjitetin, si dhe për të vlerësuar fisnikërinë e Shkodrës për mënyrën se si janë përballuar krimet e komunizmit. Shkodranët e ruajnë ende në kujtesën e tyre tmerrin e kësaj ndërtese në qendër të qytetit, pasi i kanë akoma të qarta gjurmët e torturave që u janë bërë intelektualëve dhe njerëzve të pafajshëm nga sistemi totalitar i kohës së diktaturës edhe pse kanë kaluar mbi 50 vjet. Madje edhe sot ajo shërben si pikë referimi. “ Te ish-Dega e Brendshme“, i thonë shkodranët njëri-tjetrit kur duan të tregojnë diçka në afërsi të kësaj godine. Ky është muzeu i parë i këtij lloji që po ndërtohet në Shqipëri.

Gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me të përndjekur politik dhe të dënuar në burgjet e diktaturës ku pjesmarrës ishin edhe nga qarku i Shkodrës, Fondacioni Gjerman Konrad Adenauer ka përgëzuar të gjithë organizatorët dhe projektuesit për iniciativën e marrë për ndërtimin e një muzeu të tillë që pasqyron me vërtetësi vuajtjet dhe torturat nga koha e sistemit 50-vjeçar të regjimit dhe dikaturës më të egër të kohës. Muzeu i Kujtesës Historike që pritet të përfundojë këto ditë, vjen pas afro 23 vitesh demokraci, ndërkohë që në Europën Lindore objekte të tilla përkujtimore, janë realizuar menjëherë pas rënies së sistemit komunist. (Deutsche Welle)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi