Dhënia me koncesion e rrugës “Durrës-Kukës” do t’i kushtojë çdo qytetari që do të udhëtojë përmes saj me plot 10 euro. Me një vendim të posaçëm, qeveria ka vendosur një tarifë prej 10 euro apo 14 mijë lekësh të vjetra.
Qytetarët që dëshirojnë të kalojnë në këtë rrugë, nuk do ta kenë më si një rrugë të përditshme pune, por do të duhet që ta mendojnë dhe planifikojnë me kujdes kalimin përmes saj, kjo pasi kostot për përballimin e shpenzimeve duhet që të merren shumë mirë parasysh.
E thënë ndryshe, të gjithë qytetarët që do të duan të kalojnë përmes kësaj autostrade do t’i nënshtrohen pagesës së kësaj takse, e cila sipas ekspertëve të ekonomisë duhej të ishte mbajtur konfidenciale për shkak se ajo duhet të kishte kaluar më parë në sitën e diskutimeve si dhe t’u ishte bërë e njohur të gjitha palëve apo grupeve të interesit.
Grupe të shumta të interesit me shumë gjasa sipas ekspertëve nuk do ta presin aspak mirë vendimin e qeverisë, pasi do të jenë këto të fundit që preken në mënyrë direkte si rezultat i tarifimeve të reja. Të paktën, sipas tyre ky është një vendim për të cilin qeveria duhej që më parë të ishte konsultuar me çdo grup, apo që shifra të mos ishte bërë fare publike deri në dhënien me koncesion të rrugës. Kjo pasi, ende pa hyrë në fuqi vendimi i qeverisë, e gjithë kjo situatë do të ketë një impakt të menjëhershëm, pasi lëvizjet për tregti përmes kësaj rruge do të pësojnë një reduktim të menjëhershëm. Është ky një reduktim, i cili do të fillojë të thellohet edhe më shumë me hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë, pasi tarifa prej 10 euro për çdo makinë që kalon përmes kësaj rruge është një tarifë, e cila nuk do të përballohet prej tyre për shumë gjatë. Kjo pasi ata do t’u drejtohen rrugëve dytësore, për të cilat ata nuk janë të detyruar që t’i nënshtrohen asnjë pagese. Një disavantazh tjetër që pritet të vijë si rezultat i vendosjes së këtij tarifimi ka të bëjë dhe me rënien e eksporteve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kujtojmë këtu faktin se ekspertët mes këtyre dy vendeve kanë filluar që këtë vit të shoqërohen me një rënie si kurrë më parë krahasuar me vitin e kaluar.
Akoma deri më sot prej kësaj qeverie nuk është lakuar qoftë dhe një fjalë për vendosjen e një tarife të tillë, madje dhe grupe të caktuara të interesave shprehen të habitura për këtë vendim gjatë një prononcimi për gazetën “RD”. Sipas tyre, tarifa e konkurrimit mund të vendoset vetëm gjatë fazës së konkurrimit, kur dhe operatorë të ndryshëm do të konkurrojnë për të fituar tenderin. “Për të përftuar një tarifë gjithçka duhet të kalojë përmes sondazheve dhe skenarëve të ndryshëm, në mënyrë që vlera që do të vendoset si pagesë të jetë në të njëjtën kohë edhe e përballueshme nga qytetarët”, vlerësojnë ekspertë të fushës. Sipas tyre, qytetarët nuk do të jenë aspak dakord me vendosjen e kësaj tarife, pasi në radhë të parë nuk janë pyetur nga qeveria. E vetmja që në këtë rast do të jetë përfituese është vetëm se kompania që do ta marrë përsipër shërbimin e koncesionit, pasi edhe tarifa e vendosur merr përsipër të mbulojë çdo kosto të kësaj të fundit.