Në periudhën prej 25 deri më 27 maj në Ulqin do të organizohet Konferenca ndërkombëtare e vendeve të Mesdheut e cila do të tubojë mbi gjashtëdhjetë shkencëtarë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, shfrytëzues të granteve dhe palë të interesuara nga i tërë Mesdheu dhe më gjerë. Pritet prania e përfaqësuesve nga së paku 25 shtete të botës, njoftohet nga Qendra për mbrojtjen dhe hulumtimin e shpendëve (CZIP).
Pjesëmarrësit e Konferencës në hapje do ti përshëndes Gudrun Shtajnaker, ambasadorja e Gjermanisë, Veronik Brumo, ambasadorja e Francës dhe kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka.
Pjesëmarrësit e Konferencës në kuadër të programit do të vizitojnë Kriporen e Ulqinit, Liqenin e Shasit, Adën e Bunës dhe ishullin Paratuk në mënyrë që të njoftohen me bukuritë e kësaj zone dhe me pasuritë e biodiversitetit. Organizata turistike e Ulqinit për pjesëmarrësit ka përgatitur programin e veçantë të vizitës së qytetit më jugor në Mal të Zi.