Edhe një sukses i ulqinakëve në lëmin e shkencës. Doktorantit të shkencave ekonomike në Universitetin “Donja Gorica” të Podgoricës Agron Ibrahimi i pranohet teoria e tij e zhvillimit të qyteteve në dritën e globalizimit nga Universiteti Shefild i Anglisë ku njëheri, sipas listës The World University Rankings, është ndër 10 universitetet më të mira evropiane. Ai nëpërmes punimit të tij shkencor “Korniza teorike e zhvillimit të qyteteve” thekson se në momentin e zhvillimit të ndryshimeve dinamike në fushën e ekonomisë globale, tregjet në zhvillim dhe qytetet të cilët i nxisin, bëhen gjithnjë e më shumë faktorë të rëndësishëm të zhvillimit global ekonomik. Në botën e sotme të biznesit qytetet për çdo ditë hasen me sfida të shumta siç janë ndryshimet e shpejta dhe të shpeshta, konkurrenca, globalizimi, krizat globale strategjike e tjerë. Me rastin e vënies së strategjisë së zhvillimit, në nivelin global, është e pashmangshme pyetja: pse është e rëndësishme të mendojmë regjionalisht? Pse merremi me ekonomi në nivelin lokal? Si do të ndikojnë trendët globale në zhvillimin lokal ekonomik? Në çfarë mënyre të realizohet dhe ruhet konkurrenca? Zhvillimi i ndërmarrësisë përmes klastereve, specializimi i disa degëve ekonomike, identiteti pozitiv regjional i qytetit dhe krijimi i atmosferës së mire për tërheqjen e investimeve, janë faktorët kryesorë të cilët nxisin ngritjen ekonomike dhe zhvillimin e qyteteve.
Koncepti i zhvillimit sipas modelit “Zhvillimi ekonomik lokal” (ZHLE) dhe “qytetet kreativë” janë një prej rrugëve të ardhmërisë së zhvillimit të qyteteve në ekonominë globale.
Ai thekson që zhvillimin lokal ekonomik mund ta definojmë si “proces përmes të cilit bartësit e pushtetit lokal në qytete punojnë së bashku me partnerët nga publiku, sektori afarist dhe të tjerë me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për rritje ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës.”
Koncepti i “qytetit kreativ” është fenomen relativisht i ri me të cilin theksohet që kapitali njerëzor është esenca e të gjithave, e jo infrastruktura e as arkitektura e vetë vendit. Ne “qytetin kreativ” faktorët më të rëndësishëm të cilët nxisin rritjen ekonomike janë: teknologjia, talenti dhe toleranca. Në konceptin e përmendur “3T” rëndësi e posaçme i jepet tolerancës. Në pyetje është një lloj sinqeriteti, përkatësisht gatishmëri e lokalitetit që të pranojë larmitë. Lokaliteti (shteti, regjioni, qyteti) të cilët kultivojnë “klimën” e sinqeritetit dhe tolerancës për njerëzit nga fusha të ndryshme, e të cilët kanë aftësi që me kreativitetin e vet të gjenerojnë vlerën është vendi në të cilin ndodhin rritja dhe zhvillimi ekonomik.
Doktoranti teorinë e tij të zhvillimit të qyteteve në ekonominë globale do ta prezantojë në Qendrën kërkimore të Evropës juglindore (SEERC), e themeluar nga ky Universitet.