Të premten, në sallën e mbushur plotë të hotelit “Mediteran” në Ulqin, u përurua libri “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” të autorit Ali Bardhi.
Në këtë eveniment, të cilin e organizoi Shoqata e artistëve dhe intelektualëve “Art Club” dhe i cili u moderua nga Hajredin Kovaçi, folën Safet Kurtagiq, drejtor i Fondit për pakica, Gazmend Kovaçi, Mr. Behlul Kanaqi, Mr. Ismet Kallaba, Dr. Nail Draga,Prof. Dr. Ferit Duka, si dhe vet autori.
Të gjithë folësit vlerësuan se kjo vepër, e cila në faqen e vet të parë ka thënien “Ne ishim si ju dhe ju do të bëheni si ne” e cila ishte pjesë e shumë mbishkrimeve në gurvarret e hulumtuara nga autori, ka vlerë të jashtëzakonshme shkencore, veçanërisht për faktin se është studimi i parë i këtij lloji i bërë në këto treva.
Autori, duke falënderuar të pranishmit për prezencë, tha se ka në planë vazhdimin e hulumtimit në zona tjera, fillimisht në pjesën urbane të Ulqinit, e pastaj edhe në Krajë, Tuz dhe Plavë.
Libri është rezultat i projektit “Hulumtimi dhe studimi i varrezave në trevën e Anës së Malit (Ulqin)”, që filloi në vitin 2012 dhe përfundoi në vitin 2015, i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Ali Bardhi ka përfunduar Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ndërkaq në vitin 2006 u diplomua në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit Marmara të Stambollit. Në vitin 2009 magjistroi pranë Institutit të Shkencave Sociale, në degën Historia islame (periudha osmane) të Universitetit të Marmarasë.