Koshat e plehrave në qendër të Ulqinit janë plotë me mbeturina, sepse nga e marta në Ndërmarrjen publike “Veprimtari komunale” vazhdon pezullimi i punës. Punëtorët e punësuar në departamentin e “Pastrimit” thonë që nuk duan të punojnë, sepse iu detyrohen 3,5 paga.
Por, nga kjo ndërmarrje në mënyrë jozyrtare thuhet që pjesa më e madhe e punëtorëve të “Pastrimit” kanë marrë paradhënie dhe që borxhi ndaj tyre është jo më i madh se 1,5 paga mujore. “Nëse dihet sa janë prapa punëtorët e ndërmarrjeve tjera në Ulqin, si dhe të punësuarit në qeverisjen lokale, atëherë ky rebelim është i paarsyeshëm”, pohojnë nga kjo ndërmarrje.
Kjo ngjarje e pakëndshme po zhvillohet në vakuumin e udhëheqjes, sepse pritet që të caktohet drejtori/drejtoresha e re e kësaj ndërmarrje.