Disa qindra qytetarë të Ulqinit, prindër dhe fëmijë, si dhe drejtues të komunës, ishin të pranishëm në hapjen solemne të Këndit të lojërave për fëmijë para Qendrës për kulturë.
Duke hapur objektin e parë publik të këtij lloji në Ulqin, kryetari i komunës Fatmir Gjeka ka thënë që administrata lokale është gjithmonë e hapur për projekte të tilla. “Nëse fëmijët i kemi bërë të lumtur, e kemi bërë më të mirë shoqërinë tonë”, shtoi ai.
“Kemi dëshmuar si Ulqinak që mendojmë për Ulqinakët e vegjël”, thanë përfaqësueset e shoqatës “Prindërit” Milena Lekoviq dhe Ivana Karagjinoviq, të cilat së bashku me Dejana Ponosh dhe nënkryetarin e komunës Safet Beci ishin realizuesit kryesor të projektit “Të kthejmë fëmijëve këndet e lojërave” në Ulqin.
Në emër të sponsorit gjeneral të aksionit foli Skender Karamanaga, drejtori i filialit të Bankës komerciale malazeze, e cila ka dhuruar shumicën e pajisjeve, me përkrahjen e sipërmarrësve të Ulqinit dhe komunës.
Programi kulturo-artistik u luajt nga fëmijët e foshnjores “Solidariteti” dhe shkollës së vallëzimit “Porta di Danza”.
Foto: Sejdo Ismaili