Në Ndërmarrjen Hoteleriko-turistike „Riviera e Ulqinit“ për momentin pushojnë rreth 1350 mysafirë. Më së shumti në numër janë mysafirët nga Çekia, Rusia, Gjermania, Polonia dhe nga vendet e ish-Jugosllavisë. Në hotelet „Olympic“ dhe „Belevue“ nga fillimi i korrikut gati nuk ka vende të lira, ndërsa në Adë të Bunës kërkohet një vend më shumë që nga 1 gushti. Në hotelin i cili ndodhet në këtë ishull të mrekullueshëm për momentin qëndrojnë 370 mysafirë dhe në kamp 75 mysafirë, është deklaruar për portalin tonë nga kjo kompani.
Sipas fjalëve të zëdhënëses së “Rivierës së Ulqinit” Ana Zhivanoviq, nga 21 gushti çmimet në të gjitha hotelet të kësaj ndërmarrje do të jenë më të ulëta për 10-15 për qind në krahasim me ato nga kulmi e sezonit, kështu që gjysmë pansioni për person në ditë në hotelin “Olympic” do të jetë 31 euro, në hotelin “Bellevue” 27 euro, në Adë të Bunës nga 35 deri në 41 euro, në varësi nga lloji i dhomës ku do të qëndroj mysafiri.
“Dielli, plazhet ranore, shërbimi cilësor, çmimet e volitshme dhe argëtimi i pasur në Adë të Bunës dhe në hotelet në Plazhin e madh është ajo çfarë çdo mysafirë e shtynë të vijë prapë në qytetin më diellor në Mal të Zi”, thekson Zhivanoviq.