“Menjëherë mbas mbarimit të sezonit veror, maksimalisht jemi angazhuar në përgatitjen e sezonit dimëror. I kemi rregulluar terrenet për futboll, basketboll, tenis, kemi përgatitur palestrën dhe rrugët për vrapim. Hotelet po ashtu janë freskuar mbas përfundimit të verës. Këtë dimër presim sezon të mirë. Përveç klubeve sportive nga vendi dhe regjioni presim dhe ardhjen e ekipeve sportive nga Evropa lindore dhe e mesme. Po hapim tregje të reja për turizëm sportiv, e në vend të parë – Rusinë, Çekinë dhe Poloninë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i “Rivierës së Ulqinit” Radomir-Mikan Zec.
Oferta për organizimin e përgatitjeve sportive në hotelin “Olympic” në Plazhin e madh është dërguar në mbi dyqind adresa sportive.
Pansioni i plotë për futbollistët (senior) është 35 euro për person në ditë, ndërsa për kategori të reja të futbollistëve çmimi është 25 euro.
Për atletët çmimi i pansionit të plotë është 25 euro për person në ditë.
Në çmim është llogaritur dhe taksa turistike.