Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Genci Nimanbegu ftoi opozitën që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Parlament.
Ai në intervistë për “Pobjeda” tha se bojkoti nuk është mënyrë e mirë që të ndryshohet diçka, por kjo duhet të arrihet me punë brenda institucioneve.
Nimanbegu tha se Shqiptarët nuk janë të kënaqur me statusin në Mal të Zi dhe se kanë një sërë kërkesash të parealizuara politike dhe demokratike.
“Më së shumti më brengos se partitë e Shqiptarëve me rezultatet e veta nuk kanë forcuar besimin e votuesve. Mosrespektimi i parimeve demokratike brenda disa subjekteve politike krijon ndasi në trupin votues shqiptar. Pavarësisht nga skena e krijuar politike për Shqiptarë, unë si i vetmi përfaqësues në këtë dhomë, do të tentojë të jem përfaqësues i të gjithë bashkëkombësve të mi pavarësisht në përkatësinë politike, sepse të jesh i vetmi nuk është privilegj por përgjegjësi edhe më e madhe”, tha ai.
Sipas fjalëve të tija, në skenën politike duhet të vijë deri tek ndryshimet sepse popullin shqiptar ndër vite e kanë përfaqësuar njerëzit të cilët kanë drejtuar politik joparimore dhe afatshkurtre.