Bartësit e listës zgjedhore të koalicionit “Forca për bashkim” Genci Nimanbegu dhe Vasel Sinishtaj kanë deklaruar që është vetëm çështje dite kur do të realizohet marrëveshja politike e Forcës së re demokratike dhe Iniciativës qytetare nga viti 2012.
Në kumtesën e djeshme për opinion ato shprehën bindjen që organet më të larta të këtyre subjekteve politike do të vërtetojnë marrëveshjen përfundimtare për bashkim.
“Ndarja e mandatit dhe të funksioneve tjera politike janë çështje teknike, praktikë natyrore dhe demokratike e respektimit të fjalës së dhënë, dorës së shtrënguar dhe marrëveshjes së arritur dhe të nënshkruar”, thanë Nimanbegu dhe Sinishtaj.
Ato shtuan që “ndarjet dhe grindjet në mes Shqiptarëve, mosrespektimi i marrëveshjeve të nënshkruara dhe hollimi i mëtejmë i trupit votues vetëm çon ujin në mullirin e huaj dhe e dobëson pozicionin tek faktori i brendshëm politik, por edhe në sytë e Prishtinës, Tiranës dhe faktorëve politik ndërkombëtar”.