Deklaratë e kryetarit të Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegut në konferencë shtypi të mbajtur të premten.
Pas një procesi intensiv dhe të ndërlikuar pune, dhe me mbështetjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, është arritur një marrëveshje historike ndërmjet Komunës së Ulqinit, Ministrisë së Ekologjisë dhe Ministrisë së Financave. Me këtë marrëveshje janë përmbyllur të gjitha procedurat për themelimin e Ndërmarrjes Publike “Kriporja e Ulqinit”.
“Kriporja e Ulqinit”, si një nga zonat më të veçanta në Evropë dhe në botë për nga vlerat ekologjike, më në fund do të vihet në shërbim të qytetit dhe të komunitetit. Ky hap paraqet edhe vlerësimin e punës sonë të përbashkët në Parlementin dhe në Komunën e Ulqinit, me qëllim mbrojtjen e kësaj zone për gjeneratat e ardhshme.
Njëkohësisht, ky proces dëshmon se angazhimi i qytetarëve është më i fuqishëm se interesat që ndër vite kanë cenuar resurset e përbashkëta natyrore për përfitime personale.
Me themelimin e NP “Kriporja e Ulqinit”, Ulqini rikonfirmon orientimin e tij evropian dhe faktin se rruga drejt Bashkimit Evropian është e pashmangshme.
Ashtu siç komuniteti shqiptar ka pasur rol kyç në pavarësinë e Malit të Zi dhe integrimin në NATO, ai mbetet po aq i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, pavarësisht politikave centralizuese dhe diskriminuese që kanë vazhduar ndër vite.
Komuniteti i Ulqinit ka punuar me përkushtim mbi këtë çështje për më shumë se një dekadë.
Disa pika kryesore të procesit të mbrojtjes së Kripores janë:
– Kriporja është në proces falimentimi mbi 20 vjet.
– Në vitin 2008 u parashikua transformimi i saj për qëllime turistike.
– Në vitin 2012, përmes amendamentit te ish deputetit dhe kryetarit aktual të komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu dhe angazhimit të përbashkët me OJQ MANS, u ndryshua Plani Hapësinor për të ndaluar ndërtimin në zonën e Kripores.
– Në vitin 2016, marrëveshja politike “Shqiptarët e vendosur” parashikoi shpalljen e Kripores si Park natyror.
– Më 24 qershor 2019, Kuvendi i Komunës së Ulqinit e shpalli Kriporen Park natyror.
Aktualisht, për parkun kujdeset NP “Parku Kombëtar”.
Mirënjohje ndaj të gjitha institucioneve dhe në veçanti individëve që kontribuan në mënyrë të palodhur në mbrojtjen e Kripores së Ulqinit. Gjithashtu falënderime për bashkësinë ndërkombëtare dhe organizatat për mbrojtjen e natyrës për kontributin e tyre, dhe presim përkrahjen e tyre edhe në të ardhmen.
Kapitali fillestar i ndërmarrjes që do të investohet nga Qeveria dhe Komuna e Ulqinit do të jetë 4 milionë euro, të cilat do të derdhen gjatë 5 viteve të ardhshme në raportin 60%-40%. Gjithashtu, vlerësohet se nga Bashkimi Evropian mund të sigurohen deri në 15 milionë euro projekte për rimëkëmbjen e këtij Parku të natyrës.
Shpresojmë se ky hap do të sjellë përfitime të mëdha për qytetin dhe do të shndërrojë Kriporen në një burim krenarie dhe zhvillimi të qëndrueshëm.










One Response
Eeeeee mar Qenc, shikoji tureçkat mas teje, ata ti diftojn tana punt e juja. Jeni pushteti ma katastrof si e ka pas ky qytet denjiher, edhe ma t’mrapsht se ura edhe se aj klyshi fatmiri. Historike per ket marrveshje isht vetem se keni me e mush me klysha politik, ka me pas ma shum grabitqar fotelash(demek puntor) se sa ka me pas Fllamingo e shpend tjer aty. Sju ka pa kerkush hajrin pos xhepat e juj. Fare t’paaft jeni